Fundi i një pokeristi

Bledi KASMI

Rama është një lojtar i mirë i pokerit politik. Arma e tij më e fortë është bllofi. Sekreti i të tillë lojtarëve është se luajnë gjithçka në një moment të vetëm. Nëse fitojnë, janë padronët e vërtetë të fushës. Por, nëse humbin, nuk kanë rrugë tjetër, duhet të tërhiqen.
Që të jesh i suksesshëm në këtë lojë duhet të jesh një profesionist i vërtetë dhe një kamelon, të cilit askush nuk mund t’i lexojë letrat. Në të kundërt, amatorizmi ka një kosto të lartë, sepse me një kartë të vetme ke humbur të gjithë lojën.
Fundi i Ramës me lojën e Reformës në Drejtësi është i ngjashëm. Ai luajti për të kapur gjithçka. Për të kapur Prokurorinë, për të kapur Byronë e Hetimit, për të kapur kontrollin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të kapur Këshillin e Lartë të emërimeve në gjyqësor dhe Prokurori. Pra, të gjithë sistemin.
Cilat ishin kartat e këtij bllofi? Ishte tek shumica e pakonfirmuar e tij në Parlament, tek numri i deputetëve që ai nuk i kishte dhe shfaqej i sigurtë se i kontrollonte me shpresën se do të funkiononin dy kartat e tij, presioni dhe blerja e deputetëve. Kush ishin viktimat e këtij bllofi? Të gjithë ata që e besuan dhe u investuan duke rënë pre e këtij mashtrimi dhe duke ndotur kostumin e firmave mjaft të respektuara të huaj që kanë vënë në diskutim shumë nga kredibiliteti i tyre në këtë vend.
Në funksion të këtij pokeri politik Rama nuk kurseu asgjë. U investua me gjithçka. Lobimi i ngjante asaj fotos me para të paligjshme me Presidentin Obama për të cilin Rama duhet dorëzuar tek drejtësia. Kësaj radhe suport i tij ishin të tjerë. Shpesh herë mbledhjet e Komisionit për Reformën në Drejtësi kishin nga pas siglën e të famshmit miliarder, Soros.
Por, edhe lobimet edhe investimet e paligjshme sado të fuqishme të jenë nuk mund të zhbëjnë një vend dhe një komb. Nuk mund të rrëzojnë parimet e shenjta të një demokracie dhe për ti mbivendosur asaj interesat e oligarkisë. Ky vend e ka paguar shtrenjtë pushtimin e drejtësisë nga një pakicë për gjysëm shekulli. E ka fituar lirinë e saj me gjakun e mijëra e mijëra jetëve dhe kthim pas, thjesht nuk mund të ndodhte ashtu sikurse edhe nuk ndodhi.
Rama dje u dorëzua. Përmes një njoftimi të thatë të Facebook me vetëm tre rreshta ai deklaronte se ishte i gatshëm që të votonte çdo propozim të opozitës që të kishte mbështetjen e SHBA dhe BE. Pokeristi tani i ka humbur të gjitha. Deklarata e tij dje është dorëheqja de fakto nga posti i kreut të qeverisë. Bllofi nuk funksionoi këtë herë. Rama nuk ka më vota për të vazhduar së qeni aty ku është.

Artikulli paraprakKoncesionet dhe korrupsioni
Artikulli tjetërFaqja e parë