Fundi i qeverisë Rama

Enxhi NASUFI

Në fakt ky ka qenë një nga titujt kryesorë të mediave këto ditët e fundit. Lind pyetja: a ka ardhur vërtetë fundi i Ramës dhe tentativave të dështuara të tij për reformat e rreme?
Po! Shqiptarët janë të bindur se ata i ka kapluar kriza, e cila dita-ditës po përhapet në të gjitha sferat e jetës. Në ekonomi, shqiptarët kanë arritur nivelet më të larta të varfërisë që janë parë ndonjëherë këto vitet e fundit. Kriza e bukës dhe papunësia varfërojnë shqiptarët dhe nga ana tjetër, pasurojnë politikanët. Taksat e larta, energjia aforfe të cilat shqiptarët nuk arrijnë t’i paguajnë. Ku janë premtimet e Edi Ramës për rritje ekonomike, rritje të pagave për mësuesit, mjekët, punëtorët? Gënjeshtra, mashtrime pa fund, të cilat hedhin hi syve tanë çdo ditë e tendera pafund që vidhen nga qeveritarët. Nëse duhet t’i bëni një analizë gjendjes aktuale në vend, përgjigjja do të ishte e shpejtë: makabre.
Shqiptarët e panë dhe provuan përpara syve se, qeveria Rama është ndërtuar mbi vjedhjen, mashtrimin, por mbi të gjitha mbi krimin, prandaj dhe vetë ish-kryeministri Berisha në seancën e fundit i bëri thirrje shqiptarëve të jenë të kujdesshëm, të gatshëm të mbrojnë jetët e tyre, sepse krimi shëtit në rrugët e vendit bashkë me Tahirin. Kjo qeveri mbjell vetëm krim dhe ushqen krimin, sepse vetë deputetët janë të inkriminuar e bashkëjetojnë çdo ditë me të.
Në ç’kushte është sot arsimi? Zero! Sot, arsimi është kthyer në biznes privat të zonjës Nikolla e cila blen dhe shet licenca për projekte të gënjeshtërt, ku mësuesi dhe vlera e tij didaktike kanë humbur duke iu bërë presion çdo ditë mbi vendin e punës, sepse, militantët presin vende pune.
Ku është mjekësia falas e Beqjes, që i ktheu spitalet shqiptare në treg të lirë dhe me jetët e njerëzve bëhet Pazar?
Ku është ekonomia? Kriza i ka mbytur anembanë shqiptarët dhe të drejtën e tyre për të jetuar në një vend të lirë e demokratik.
Pse shqiptarët largohen e kërkojnë të largohen nga Shqipëria? Shifra alarmante të qytetarëve tanë që emigrojnë apo aplikojnë për azil. Ç’tregon kjo? Kjo tregon se qeveria Rama dështoi, e bashkë me të edhe premtimet e saj. Shqiptarët nuk duan premtime! Ata duan punë, duan ekonomi, siguri për jetët e tyre, drejtësi.
Zoti Rama: asgjë nga këto nuk i siguruat asnjë shqiptari, prandaj zëri i të rinjve demokratë është zëri i drejtësisë, të cilët kërkojnë një Shqipëri pa premtime boshe, pa vjedhje, korrupsion, por me zotim e obligim për të punuar e ndryshuar rrënjësisht jetët e tyre.

Exit mobile version