Fundi tragjik i Gene Hackman, zbulohet testamenti i yllit të Hollywood! Kush e përfiton pasurinë prej 80 milionë dollarëshe të fituesit të Oscar

Pas vdekjes tragjike të yllit të Hollywood-it, Gene Hackman, është zbuluar se fituesi i çmimit Oscar ia ka lënë pasurinë e tij prej 80 milionë dollarësh gruas së tij, Betsy, e cila u gjet e vdekur bashkë me të në shtëpinë e tyre.

 

 

Është e paqartë nëse tre fëmijët e tij, djali Christopher Allen, 65 vjeç, dhe vajzat Leslie Anne, 58 vjeç dhe Elizabeth Jean, 62, nga martesa e tij e mëparshme me Faye Maltese, janë pjesë e testamentit.

Një ekspert ligjor është shprehur se nëse Betsy do të ishte gjallë tani që Hackman ka vdekur do të kishte plasur lufta e tretë botërore për pasurinë e aktorit, shkruan DailyMail.

“Fëmijët e tij ndoshta do të ishin çmendur,” shprehet ai.

Në testamentin e saj, Betsy thotë se pasuria e saj do t’u shpërndahet organizatave bamirëse dhe shlyerjes së borxheve mjekësore.

Hackman, i cili kishte Alzheimer, nënshkroi kopjen më të fundit të testamentit të tij më 7 qershor 2005. Është e paqartë saktësisht se kur u diagnostikua me sëmundjen neurodegjenerative progresive.

Sipas mediave të huaja, policia konfirmoi se 95-vjeçari Hackman vdiq nga sëmundja e zemrës rreth 18 shkurtit, disa ditë pasi Betsy, 65 vjeç, iu nënshtrua sindromës pulmonare hantavirus në banjën e tyre rreth 11 shkurtit.

Aktori legjendar mund të ketë qëndruar  i vetmuar për shtatë ditë në vilën e tij të madhe, pa partneren e tij, e cila i kishte qëndruar në krah për tre dekada, për ta ushqyer dhe kujdesur. I mbetur vetëm dhe me trupin e gruas së tij duke u dekompozuar në banjën e tyre, Hackman, gjendja shëndetësore e të cilit ishte shumë e rëndë, mbeti pa ushqim.

Autopsia tregoi se stomaku i tij ishte bosh në momentin e vdekjes.

Hackman u gjet i vdekur me bastunin dhe syzet pranë tij në një dhomë afër kuzhinës pas një rënieje të dukshme. Aktiviteti i fundit i regjistruar i stimuluesit kardiak të tij ka qenë më 18 shkurt.

Të vetmuar kanë mbetur edhe qentë e çiftit të izoluar, njëri prej së cilëve u gjet i ngordhur.

Trupat e aktorit dhe partneres së tij u gjetën të mërkurën e kaluar, në dhoma të ndryshme të rezidencës së tyre luksoze në Santa Fe.

Kryeekzaminuesja mjekësore e shtetit, Dr. Heather Jarrell, tha se autopsitë e kryera  konfirmuan se Gene Hackman vdiq nga problemet e zemrës dhe Betsy Arakawa vdiq nga sindroma pulmonare hantavirus, e cila transmetohet te njerëzit nga minjtë.

Sindroma pulmonare Hantavirus (HPS) shkaktohet nga infeksioni me viruse të gjinisë Hantavirus. Këto viruse transmetohen kryesisht nëpërmjet kontaktit me sekrecionet ose feçet e brejtësve që bartin virusin.

Aktori 95-vjeçar kishte sëmundje të avancuar të zemrës, si edhe vuante nga Alzheimeri.

Ende nuk është përcaktuar shkaku i vdekjes së qenit të ngordhur në shtëpinë pranë Betsy Arakawa, sipas mjekut, i cili sqaroi se qentë nuk janë të infektuar me hantavirus.

Exit mobile version