Fundjavë luksi, 60 mijë euro për një dokumentar

Rama nuk ndalet në shpenzimet e luksit, aq më tepër për të kaluar fundjavat në kryeqytetet e Europës. Këtë fundjavë Rama do të ketë një fundjavë luksi në Paris. Shpenzimet të gjitha me paratë e taksapaguesve, të cilët u duhet të paguajnë faturën e një dokumentari në vlerën e 60 mijë eurove.
E çfarë janë 60 mijë euro për një Kryeministër, i cili ka një buxhet qeveritar vetëm për bileta avioni në shifrën e 15 milionë eurove? Asgjë. Janë vetëm një argëtim që ngrihet mbi mundin, varfërinë dhe skamjen e një populli që sipas Bankës Botërore është më i varfri në Ballkan dhe ku 45% e popullsisë jeton nën minimumin jetik me vetëm 5 dollarë në ditë.
Kemi një popull të varfër dhe një Kryeministër që sillet si faraon, duke i konsideruar shqiptarët si skllevër të tij, të cilët duhet të punojnë për argëtimet dhe fundjavat e luksit të kreut të qeverisë në kryeqytetet e Europës.

Aktiviteti

Shpenzimet e luksit janë një nga pasionet e preferuara të Ramës në pushtetin absolut kryeministror. Në vijim të aventurave të tij që kapin vlera marramendëse parash, të marra këto nga taksapaguesit shqiptarë, Rama do të fluturojë këtë të enjte drejt Parisit. Ai nuk do të shkojë në Francë në një vizitë pune, as për t’u kërkuar investitorëve francezë të investojnë në Shqipëri apo të flasë për potencialet e Shqipërisë. Rama do të vizitojë Parisin për një qëllim tjetër më madhor, për të marrë pjesë në transmetimin e një dokumentari të paguar prej tij e për t’u ekspozuar në një aktivitet të posaçëm në qendrën e famshme franceze “Pompidou”.
Në debatin për reformimin e shërbimit të jashtëm u përfshi edhe ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, i cili u shpreh se ambasadorët shqiptarë nuk kanë para as për t’i dhënë një drekë investitorëve dhe jo më të bëjnë diplomaci ekonomike. Por mesa duket gjërat kanë ndryshuar që kur Milo është larguar nga drejtimi i ministrisë, pasi paratë aty janë, por nuk i menaxhojnë siç duhet. Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë të enjten, më 31 gusht, në një aktivitet në Paris ku do të shfaqet një film dokumentar për artin në Shqipëri, me autor Giuseppe Schillaci.
Nëpërmjet burimeve të sigurta të cituara nga media të ndryshme dje, bëhet e ditur se dokumentari që transmetohet në qendrën “Pompidou”, ka kapur shifrën në 60 mijë eurove. Këto para janë dhënë nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë, ndërsa Ambasada shqiptare në Paris ka marrë përsipër shpenzimet e aktivitetit. Ndryshe nga çfarë tha përpara Trupit Diplomatik, Rama nuk po i kushton rëndësi diplomacisë ekonomike, por preferon diplomacinë kulturore, aty ku ndoshta ndihet më i sigurtë se merr një rol udhëheqësi.
Edi Rama përgjatë katër viteve të qeverisjes duket se ka pasur një pasion të shfrenuar për rritjen e shpenzime të luksit. Janë ato shpenzime që kanë të bëjnë me mobilime zyrash, makina të shtrenjta për ofiqarët apo shpenzime për rikonstruksione vilash qeveritare etj. Për shembull, për vitin 2017, që është dhe vit elektoral, në buxhetin e shtetit ka planifikuar 30 milionë euro shpenzime vetëm për Kryeministrinë. Në vitin 2015, shpenzimet e luksit për qeverinë arritën në shifrën e 91 milionë eurove dhe në vitin 2016, kjo shumë shkoi në rreth 22 milionë euro. Pra, në tre vitet e fundit, vetëm për arredime zyrash dhe jetë sheikësh qeveritarët e mazhorancës me në krye Ramën kanë shpenzuar jo pak, por 140 milionë euro, aq sa thuajse është dhe kostoja e rritjes së pensioneve në masën 80% siç ka premtuar opozita.
Vetëm shpenzimet e udhëtimeve me avion të tij dhe stafit që e shoqëron, kapin shifra marramendëse. Llogariten deri në dhjetë udhëtime në vit që Rama i ka zhvilluar vetëm për hapjen e ekspozitave të tij. Duke shfrytëzuar kostumin kryeministror, pak nga deliri i madhështisë, e pak nga përpjekja e dëshpëruar për të bërë emër me çdo kusht, nga Hong-Kongu në Pekin, Neë York dhe Europë, Paris, Stamboll, Berlin, Mynih, Firence, Milano etj., Rama synoi qytetet më të kushtueshme e më të famshme për ekspozimin e pikturave të tij. Të gjitha qytetet e lartpërmendura njihen për kostot e larta të tyre në organizimin e eventeve të tilla luksoze, ku vetëm marrja me qira e ambienteve të ekspozimit llogaritet në qindra mijëra euro.

Aferat, skandalet dhe abuzimet e konstatuara nga KLSH

Shpenzimet luksoze të qeverisë u faktuan në raportin vjetor të Kontrollit të Lartë të Shtetit, nga i cili për vitin 2015 dolën një numër i pafund shkeljesh që kanë të bëjnë me afera, skandale dhe vjedhje të qeverisë përmes tenderave, koncesioneve e fondeve abuzive. Dëmi në total për atë vit që i shkaktohej buxhetit, sipas KLSH, shkonte në 919 milionë euro ose gati 15% e tij. Me këto para do të ishin hapur me mijëra vende pune në vit me paga 500 dollarë në muaj ose do ju ishte paguar ndihmë e plotë ekonomike 94 mijë familjeve në nevojë, ose do të ishin ndërtuar dhe mobiluar 38 shkolla të reja. Por abuzimi me fondet për shpenzimet e luksit do të vazhdonte dhe në vitin 2016. Nga fondi i investimeve publike ajo do të merrte 20 milionë euro për rikonstruksione dhe mobilim zyrash, ndërsa 2.6 milionë euro i kaluan aparatit të Kryeministrisë për shërbimet jashtë vendit.

Arben SHAHINI

Artikulli paraprakAfron lufta me Korenë e Veriut
Artikulli tjetërNë 2016 ikën 300 biznese të huaja