Elseid Hysaj pati një mbrëmje të errët në disfatën e Napolit 3-1 kundër Realit të Madridit. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare vuajti presionin e Marselos, siç vë në dukje edhe “Eurosport” në vlerësimet për secilin lojtar në fushë. Rrjeti gjigant sportiv i kontinentit i vë shqiptarit notën 5, ndër më të ulëtat e ndeshjes. “Vuan pafundësisht praninë e Ronaldos (që gjithsesi ishte dobët), por mbi të gjitha sprintet ‘djallëzore’ të Marselos e bënë me dhembje koke…”, shkruan “Eurosport”. Ndërkohë, mbrojtësi brazilian i Realit është vlerësuar me 6.5: “Disa luhatje ashtu siç ndodh rëndom në fazën e tij mbrojtëse (rasti i Mertensit), por në sulm nuk mund të injorojmë punën e tij konstante për të bërë presion dhe çmendur të gjorin Hysaj”.
Reali i Madridit fiton dhe hedh një hap të sigurt drejt kualifikimit në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Kampionët në fuqi të Europës mposhtën 3-1 në shtëpi Napolin e Elseid Hysajt, i cili edhe të mërkurën në mbrëmje ishte titullar.
Në fakt, takimi nisi mbrapsht për të besuarit e Zidanit, të cilët u befasuan që në minutën e tetë nga supergoli i Lorenco Insinges, i ndihmuar edhe nga gabimi i portierit Kejlor Navas. Megjithatë gëzimi i italianëve zgjati pak, pasi në të 18-n Benzema riktheu baraspeshën. Pas pushimit të zotët e shtëpisë vendosën diktatin dhe Toni Kros realizoi golin e epërsisë në të 49-n, ndërsa pesë minuta më pas Kasemiro vulosi rezultatin përfundimtar me një gol spektakolar. Pas tri javësh madrilenët do të udhëtojnë drejt “San Paolos” me qetësinë që u jep ky rezultat, ndërsa të kaltërve të Mauricio Sarrit do t’u nevojitet përmbysja e madhe.
Humbja nga Real Madrid nuk është kapërdirë nga bosi i Napolit, Antonio de Laurentiis, i cili sulmoi trajnerin, Maurizio Sarri, në lidhje me zgjidhjet e këtij të fundit. Duket se presidenti napolitan i harroi shpejt deklaratat e simpatisë për trajnerin italian, bërë para pak ditësh dhe nuk ngurroi të shprehë gjithë pakënaqësitë për mënyrën sesi trajneri Sarri e kishte përgatitur këtë ndeshje. “Kam disa rezerva për zgjedhjet e bëra, por do t’i mbaj për vete, gjithsesi është e vështirë të kuptohet se pse nuk luajnë disa futbollistë, për të cilët kam shpenzuar shumë para për t’i sjellë në ekip”, ka deklaruar ai.
Kurse, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i trajnerit, Maurizio Sarri në lidhje me deklaratat e presidentit të Napolit. “Përgjegjësi për zgjedhjet jam unë dhe nuk pranoj asnjë ndërhyrje. Nëse De Laurentiis ka ndonjë gjë për të më thënë, le të më thërrasë se i kam përgjigjet edhe për të”, ka deklaruar Sarri. “Bëmë një ndeshje të mirë, ndaj një kundërshtari që është shumë më lart se ne sa i përket individualiteteve, megjithatë nuk më pëlqeu që bëmë shumë pasime të gabuara në gjysmëfushën tonë. Unë jam i bindur se do t’i bëjmë të kalojnë një natë ferri në ndeshjen e kthimit”, theksoi ai.