Furgoni me 2 kuintalë drogë nga Shqipëria kapet në Greqi

Policia greke njoftoi dje në mesditë për sekuestrimin e më shumë se 200 kg drogë, që vinte nga Shqipëria. Sipas komunikatës së policisë, droga u gjet në një mjet me targa shqiptare, që po lëvizte në aksin rrugor Kakavijë-Kallpaki. Një patrullë e policisë e ndaloi mjetin për kontroll dhe në bagazhet anësore të rimorkios u gjet një sasi droge prej 207 kg 1 119 gramë. Droga ishte ambalazhuar në 196 pako, të futura në 8 çanta udhëtimi. Drejtuesi i mjetit, shtetas shqiptar i moshës 42 vjeç, u arrestua.
Bashkë me drogën u sekuestrua edhe mjeti, që është në pronësi të një firme shqiptare transportesh. Gjithashtu, u konfiskuan 280 euro që kishte me vete drejtuesi i mjetit, si dhe dy telefona celularë. I arrestuari do të dërgohet në Prokurorinë e Janinës për veprimet e mëtejshme.
Për çdo ditë, policia greke sekuestron sasira droge të futur nga Shqipëria. Një ditë më parë policia greke sekuestroi (sot) 65 kg drogë të futur nga Shqipëria. Bëhet e ditur se droga po transportohej nga dy të rinj grekë, të cilët e kishin marrë lëndën narkotike në Shqipëri. Pas sinjalizimit të rastit, policia greke është vënë në ndjekje të mjetit që po transportonte drogën, duke bërë të mundur ndalimin e tij në Trikalla. Gjatë kontrollit, në mjet u gjetën dhe sekuestruan 4 çanta që përmbanin 35 pako me 65 kg 80 gramë marijuanë.

Exit mobile version