Fusha paguan për luksin e drejtuesve të bashkisë me lekët e taksapaguesve, Prokuroria të hetojë për Maznikun

  • Fusha SHPK paguan për luksin e drejtuesve të bashkisë me lekët e taksapaguesve të Tiranës që përfiton nga Veliaj me tendera, koncensione dhe PPP
  • Prokuroria duhet të hetojë për lidhjen mes pagesave private për Maznikun dhe ndikimin e tij për marrjen e këtyre tenderave

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ZËDHËNËSJA INA ZHUPA

Veliaj dhe Bashkia Tiranë kanë pranuar shkeljen e ligjit, kur kanë pohuar për Zërin e Amerikës se Shkëlqim Fusha, pronari dhe administratori i Fusha shpk ka paguar hotelin 908 euro nata për nënkryetarin Mazniku.

Justifikimi ishte se kështu nuk po harxhonin paratë e taksapaguesve të Tiranës. Por paratë e Fusha shpk në origjinë jane paratë e qytetarëve, taksapaguesve të Tiranës.

Janë të taksapaguesve sepse oligarku Fusha, nga taksat i ka marrë milionat. Aq shumë ka marrë, sa ja mban xhepi të bëjë shpenzime luksi për zyrtarët e Veliajt

I ka marrë nga paratë e qytetarëve të Tiranës, sepse ata e mbushin buxhetin e bashkisë, me faturat e rritura të Ujit, me tatimet dhe me taksat e reja që janë shtuar çdo vit. Paratë e banorëve të Tiranës shkojnë në buxhetin e bashkisë, dhe nga aty i merr Fusha Shpk.

I merr pa garë, i merr me ofertën me çmim më të lartë, i merr me shumicë duke i qepur edhe ligje speciale dhe me kritere preferenciale.

Shembulli më i madh i vjedhjes me oligarkët, është pikërisht favorizimi që bashkia e Erjon Veliajt i ka bërë që prej vitit 2015, kompanisë Fusha shpk, e cila rezulton përfituesja më e madhe e pasurive publike.

Gjatë periudhës 2015-2019, kjo kompani ka përfituar 49 tendera me një vlerë mbi 40 milion euro, nga të cilat, 34 pa garë dhe në 47 prej këtyre tendera vlera e fondit limit ështe thuaj se e njëjtë me vlerën e kontratës. Nga këto para burojnë shpenzimet e luksit për Maznikun e bashkisë.

Prokuroria e Tiranës ende nuk ka nisur hetimet për Maznikun, i cili duke pranuar dhuratën e oligarkut që fiton tenderat në bashkinë Tiranë ka shkelur njëkohësisht disa ligje.

Prokuroria duhet të hetojë për lidhjen mes pagesave private per Maznikun dhe ndikimin e tij për marrjen e këtyre tenderave. Një subjekt në tender që paguan zyrtarin e institucionit klasifikohet si korrupsion, ushtrimi ndikimi, konflikt interesi.

Gjithashtu në zbatim te ligjit nr.9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funkisioneve publike”  është e ndaluar rreptësisht që një zyrtar të kërkojë ose të marrë, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, të cilat i jepen për shkak të pozicionit të tij, nga një individ, person fizik ose juridik privat .

Arbjan Mazniku ka shkelur detyrimin ligjor për deklarimin e kësaj dhurate pranë ILDKPI në formularin periodik vjetor të interesave private siç përcaktohet në faqen 8 të formularit.

Veliaj hesht, sepse ky është modeli i qeverisjes së tij. Vidh me oligarkët dhe pasurohu me ta, shpenzo per luks paratë e taksapaguesve. Është koha që ky model, këto skandale të padëgjuar në vende që duan të hyjnë në BE, të marrin fund.

Për këtë ka vetëm një rrugë: Të largojmë bandën e Edi Ramës me Veliajt dhe Maznikët e tij që pushtetin e kanë shndërruar në një sistem grabitje e vjedhje.

1 1

2 2

3 2

Artikulli paraprakAi që emëroi Valdrin Pjetrin dhe vazhdon të mbrojë Kajmakun kërcënon me shkarkim Presidentin pse zbatoi Kushtetutën
Artikulli tjetërDeputeti gjerman në Kosovë: Gjermania kundër ndryshimit të kufijve