Bashkia i jep 3.2 milionë euro të tjera “Fushës” së Ramës

Bashkia Tiranë do t’i japë 3,2 milionë euro kompanisë Fusha shpk për ndërtimin e impiantit të përpunimit të ujit të pijshëm në liqenin e Bovillës.
Kontrata është lidhur më 23 tetor dhe ka një kohëzgjatje prej 10 muajsh.
Në tender morën pjesë pesë kompani, dy prej të cilave nuk kanë paraqitur ofertë ekonomike, ndërsa dy të tjera janë skualifikuar nga gara pasi nuk përmbushnin kriteret, duke lënë kompaninë Fusha shpk të vetme në garë.
Vlen të theksohet se kompani nuk ka eksperiencë të mëparshme në ndërtimet e impianteve të përpunimit të ujit.
Deri më tani, tenderët që Fusha shpk ka fituar kanë qenë kryesisht për ndërtime apo rikonstruksione sheshesh, godinash dhe për pastrimin e qyteteve.
Pak ditë më parë, Fusha shpk fitoi dhe tenderin me vlerë 1 milionë euro për rikonstruksionin e godinës së Universitetit Politeknik të Tiranës.
Kompania Fusha shpk, po ashtu, ka fituar të dyja fazat e rindërtimit të Sheshit Skënderbej dhe ndërtimin e parkimit nëntokësor në këtë shesh, pa asnjë konkurrent tjetër në tender.
Po ashtu ajo ka fituar së bashku me ‘Everest shpk’ tenderin për ndërtimin e sheshit shumë të debatuar Veliera në Durrës.
Në muajt e ardhshëm, Fusha pritet gjithashtu të fillojë ndërtimin e një ndërtese të re të Teatrit Kombëtar dhe disa kulla, në krah të tij, në tokë publike, pa asnjë procedurë tenderimi.
Fusha shpk ka përfituar të paktën rreth 30 milionë euro kontrata nga pushteti lokal vetëm gjatë periudhës korrik 2015—korrik 2018. Të paktën rreth 13 milionë të tjera Fusha i ka përfituar nga pushteti lokal, në të njejtën periudhë kohe, së bashku me kompani të tjera, me të cilat ka fituar kontrata si bashkim kompanish.
/Exit.al

Artikulli paraprakKryemadhi: Lana po spostohet për të ngritur kulla, Rama kujdeset për oligarkët jo për qytetin
Artikulli tjetërKonflikti brenda PS/ Manastirliu sfidon Erion Veliajn, “e dekonspiron” Top Channel