Fushata e Clinton: Nuk gëzohemi para kohe

“The Guardian”

Fushata gjithnjë e më vetëbesuese e Hillary Clinton-it ka paralajmëruar palën tjetër të mos vetëkënaqet, pasi sondazhet e reja sugjerojnë se Donald Trump mund t’i nxjerrë republikanët në rrugë në vetëm dy javë kohë. Gjatë ditëve pas debatit të tyre të fundit televiziv, kandidatët e të dy palëve kanë adoptuar taktika tërësisht të ndryshme për t’ju drejtuar mbi 200 milionë amerikanëve, të cilët janë regjistruar për të votuar.
Ndërkohë që Trump i ka dyfishuar takimet e tij elektorale nëpër shtete të ndryshme, aq sa shumë njerëz e kanë krahasuar me një koncert rroku, Clinton është duke shpenzuar shumë para për reklama televizive dhe organizim lokal, me një sy vëzhgues drejt territorit që dikur konsiderohej i sigurt për republikanët. Kjo strategji mund ta çojë kandidaten edhe më larg se 270 votat elektorale që i nevojiten për të fituar Shtëpinë e Bardhë dhe shënon një pikë kthese për të ndihmuar demokratët të rifitojnë kontrollin e Kongresit.
Teka fliste në një takim elektoral në Orlando të Floridës të dielën në darkë, kandidati demokrat për zëvendëspresident, Tim Kaine, tha se të dhënat nga votimet paraprake tregojnë se Clinton ka hyrë në rrugën drejt fitores së madhe dhe historike më 8 nëntor. Megjithatë, ndihmësit e fushatës së Clinton-it nuk e kanë neglizhuar rrezikun se Trump mund të përfitojë nga një valë e paparashikuar elektorati në zgjedhjet 2016, veçanërisht në shtetet si Ohio ku rezultatet e sondazheve janë të ngushta.
“Këto shtete fushëbeteja quhen kështu për një arsye të caktuar”, tha menaxheri i fushatës së saj, Robby Mook për “CNN” ditën e dielë. “Rezultati ka për të qenë tepër i ngushtë. Nuk duam të gëzohemi përpara kohe. Sot jemi më të fokusuar se kurrë në shtetet si Ohio, Ajoa dhe Florida”.
Këshilltarët e Trumpit janë gjithashtu të ndërgjegjshëm se do të përballen me një sfidë të fortë, por mendojnë se qëndrimi antisistem i popullit do të jetë në favorin e tyre gjatë ditëve vendimtare. “Tani jemi mbrapa”, tha menaxherja e fushatës, Kellyanne Conway për “NBC”. “Ajo ka disa avantazhe, siç është blerja e reklamave televizive prej 66 milionë dollarësh vetëm gjatë muajit të shtatorit. Ajo ka një një ish-president amerikan për bashkëshort, i cili po bën fushatë për të dhe shihet nga të gjithë si e pamposhtur”.
Conway argumentoi gjithashtu se harta elektorale, e riformuar nga Trumpi, do të punojë në favor të biznesmenit. “Avantazhi ynë do të jetë kur të jemi një, tre ose katër pikë poshtë në të njëjtat shtete ku Mit Romney humbi kundër Presidentit Obama”, tha ajo. “Pikërisht atëherë, Donald Trump do të jetë duke e diskutuar situatën direkt me njerëzit”.
“Ai nuk pretendon të ketë mundësi të zhdukë zhurmën apo mënyrën se si na trajtojnë disa, kështu që po vazhdon punën e tij. Ai do të vizitojë të gjithë këto shtete shumë e shumë herë dhe ne mendojnë se pavarësisht faktit që Hillary Clinton, nën 50 për qindëshin në disa prej tyre, ka drejtuar një fushatë shumë tradicionale dhe shumë të kushtueshme, ne do të kemi mundësi të tërheqim votuesit e lëkundur”.
Eric Trump, djali i kandidatit, ndante të njëjtat mendime, por e refuzoi idenë se babai i tij po luante me bazën e mbështetjes. Drejtuesi i “ABC”, George Stephanopoulos, e shtyu më shumë këtë çështje duke e pyetur biznesmenin nëse ka frikë edhe nga vetë baza e tij e mbështetjes. Trump u përgjigj duke thënë: “Jo, nuk e mendoj aspak këtë”.
Disa republikanë janë skeptikë se Trump do të gjejë një mënyrë për të fituar. Karl Rove, i cili ishte edhe mjeshtri i fitoreve të ngushta të George W. Bushit kundër Al Gore dhe John Kerry-t, u shpreh skeptik duke thënë se nuk kishte mjaftueshëm kohë në dispozicion. “Nuk mendoj se ka për të ndodhur”, tha ai për “Fox News”. “Ndoshta mund të ndodhë, por unë dyshoj që në vetëm dy javë të mbetura, duke ndjekur fushatën që ai është duke ndjekur, të arrijmë të fitojmë të paktën një në 10 votues”.
Fushata e Clinton-it vazhdon të jetë vetëbesuese se zgjedhjet do të ndëshkojnë Partinë Republikane për faktin që ka mbështetur Trumpin, i cili ka shkelur vazhdimisht normat e politikës amerikane dhe i ka dhënë kurajo liderëve të izoluar si David Duke i Ku Klux Klanit. “Mendoj se në përgjithësi do të dëgjoni që Clinton ka bërë më shumë për të rritur shanset e fitores në garë”, tha Brian Fallon zëdhënës i fushatës së Clinton-it për “Guardian”.
Fallon tha se fushata e Clinton-it kërkon t’i shtrijë një dorë votuesve tradicionalë republikanë, duke iu drejtuar atyre personave brenda partisë që vazhdojnë të mbështesin Trumpin pavarësisht fjalëve ofenduese që ka thënë për femrat, emigrantët dhe minoritetet.
Edhe pse veteranët e Senatit, përfshirë John McCain dhe Kelly Ayotte, kanë shprehur mosmbështetje ndaj Trumpit, ai e ka ruajtur përsëri bazën e mbështetjes. Fallon tha se liderët republikanë duhet të fitojnë meritën pas dy javë e gjysmë për rolin që kanë luajtur në ngritjen e Trumpit dhe për faktin që e kanë mbështetur edhe kur e ka shfaqur veten e tij të papërshtatshëm nga ana e temperamentit.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakTrupat irakene dhe kurde drejt marrjes së Mosulit
Artikulli tjetërTrump: Sistemi është i kalbur dhe i manipuluar