Ivan Krastev
Këto kohë, për shumë europianë të shkojnë në Shtetet e Bashkuara është si të zbresin në Mars. As edhe analistët më të rafinuar nuk ia dalin të krijojnë një ide se çfarë po ndodh në vend. Janë të shqetësuar nga ngjitja e Donald Trumpit, të bllokuar nga magjepsja që ushtron socializmi i Bernie Sandersit mbi zgjedhësit e rinj në moshë, dhe të cilët janë konfuzë nga politika e jashtme e matur e (pak) idealistit Barack Obama.
Personalisht nuk e ndaj këtë alarm. Duke vërejtur zemërimin e klasës së mesme, arrogancën dhe mungesën e popullaritetit të elitave, skepticizmin e përhapur mbi efikasitetin e forcës ushtarake dhe frikën e madhe nga e ardhmja, ndoshta për herë të parë ndiej se kuptoj plotësisht atë që ndodh në SHBA.
Merrni fushatën elektorale të Trumpit, që konsiston mbi të gjitha në ulëritjen e gjërave më të marra e të liga. Suksesi i tij, që ia del madje të paraqesë edhe Ted Cruzin si një politikan normal, është shqetësues për shumë njerëz, si në SHBA edhe jashtë vendit, të mësuar që të shohin politikanët amerikanë në ekuilibër, mes populizmit të vrazhdë dhe një normaliteti të respektueshëm. Deri tani qendra kishte mbajtur gjithmonë.
Por Trumpi do të ndihej në shtëpinë e tij në Europë. Këtu partitë tradicionale të bëra bashkë kanë vështirë të sigurojnë 50% të votave në zgjedhje. Zgjedhësit tërhiqen prej shpalljeve dhe thirrjeve që bazohen në pakënaqësitë politike. Kur hyj në një kafene në Sofje, në Varshavë apo në Amsterdam, dëgjoj gra dhe burra që flasin për dëbim të të huajve, moslejim të hyrjes së myslimanëve apo ndërtime muresh për të mbrojtur kufijtë.
Këto mendime ndahen prej të gjithë atyre që ndihen të rrezikuar nga humbja e pushtetit politik dhe nga gërryerja e shpejtë e pasurisë së tyre. Ndihen të tradhëtuar nga revolucioni demografik që po ndodh në të gjithë botën, që rrezikon t’i shndërrojë në pakica në vendet e tyre. Sinqeriteti i supozuar i Trumpit dhe aftësia e tij e paarritshme për të manipuluar mjetet e informimit të kujtojnë deri në një farë pike stilin e Berluskonit, aq sa ndonjëherë pyes veten mos vallë është duke e këshilluar Kavalieri.
Edhe Bernie Sandersi do të ishte i njohur në Europë. Shumica e të rinjve europianë që unë njoh, e konsiderojnë kapitalizmin një sistem plot të meta dhe të padrejtë. Për ta socializmi, dhe jo vetëm socialdemokracia liberale, nuk është një fjalë e pistë. Konsiderohen të penalizuar nga status quo-ja, dhe shumë prej tyre bëjnë thirrje haptazi për një revolucion (edhe pse, fatmirësisht, jo të dhunshëm). Për ta, konflikti mes brezave është versioni i ri i luftës së klasave të prindërve dhe gjyshërve të tyre.
Në Greqi, Spanjë dhe Portugali, pothuaj gjysma e të rinjve janë të papunë. Këta të rinj e konsiderojnë globalizimin një fatkeqësi dhe nuk e durojnë idenë e shkëmbimit të lirë. Dhe ndonëse Sandersi nuk është as Jean Jaures dhe as Lev Trocki, për këtë të majtë të re radikale, amerikane dhe europiane, mungesa e karizmës së tij është një shenjë e mëtejshme e integritetit dhe vërtetësisë.
As edhe kthesa realiste e Obamës në politikën e jashtme nuk më habit. Presidenti amerikan thotë se ka hedhur tutje “librin e rregullave të Uashingtonit”, dhe kjo ka befasuar dhe trembur aleatët europianë të SHBA. Maksima e famshme e Obamës, “mos bëj budallallëqe”, në realitet është parimi themelor i politikës së jashtme të vendeve europiane, tashmë prej shumë vitesh. Obama po shpreh qartë diçka, për të cilën kemi qenë të vetëdijshëm prej kohësh: politika e jashtme e SHBA po bëhet gjithnjë e më e matur, gjithnjë e më europiane. Amerikanët nuk vijnë më nga Marsi dhe europianët nuk vijnë më nga Venusi, siç thoshte Robert Kagani. Ndoshta jemi të gjithë bashkë mbi Saturn, në përpjekje për të shmangur që ky konfuzion të mbushë me pluhur unazat tona të shkëlqyeshme.
Nëse është dikush që sot nuk arrin t’i kuptojë Shtetet e Bashkuara, këta janë vetë amerikanët. Nuk e kuptojnë që vendi i tyre po shndërrohet me shpejtësi në “normal” dhe nuk arrijnë të kënaqen me mirëqenien ekonomike dhe një izolim të shkëlqyer politik. “Fati ynë si komb ka qenë ai që nuk kemi patur ideologji, por kemi qenë vetë një ideologji”, ka thënë një herë historiani amerikan Richard Hofstadter.
Duke u krahasuar me europianët, amerikanët mburren me faktin që “disa gjëra këtu nuk mund të ndodhin”. Ndiheshin imunë nga patologjitë e demokracisë. Por pas vitesh polarizim politik dhe bllokim qeverisjeje, a janë ende të bindur amerikanët, se demokracia e tyre nuk mund të përmbyset?
Tani që shohin me sytë e tyre “normalizimin” e Shteteve të Bashkuara, shumë europianë fillojnë të kenë nostalgji për atë Amerikë që nuk e kishin kuptuar asnjëherë. Një vend me papërsosmëritë e tij, por edhe me premtimet e tij, më ambicioz dhe më pak ambivalent. Që tani po fillojmë të ndjejmë mungesën.