“Fushata elektorale në SHBA si në botë të ndryshme”/ DW: Harris paraqitet si një luftëtare optimiste, Trump përhap perspektiva të zymta për të ardhmen

Harrisi dhe Trumpi përdorin mesazhe krejtësisht të ndryshme gjatë fushatës: ajo paraqitet si një luftëtare optimiste, ndërsa ai përhap perspektiva të zymta për të ardhmen. Edhe këtu pasqyrohet ndarja e shoqërisë në SHBA.

 

“It´s good to be back in Pennsylvania” (“Është mirë të kthehesh në Pensilvani”) ose “We love you, Arizona! (“Të duam, Arizona!”): Kamala Harris dhe Donald Trump nuk kanë nevojë të thonë më shumë për të ndezur brohoritje të furishme gjatë tureve të tyre në SHBA. Megjithatë, kjo është e vetmja e përbashkët në performancat e tyre.

Harrisi punoi së bashku me Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë për gati katër vjet. Në fushatën elektorale, megjithatë, ajo e prezanton veten si njeri i diskriminuar dhe kjo ecën mirë.

“Ne kemi shumë punë përpara nesh,” i bërtet ajo turmës ende euforike, “por tani vjen ajo që ia vlen: neve na pëlqen të punojmë shumë.”

Harrisi dhe ushtria e saj e luftëtarëve të gëzuar po e arrijnë me punë fitoren: kështu e paraqet veten demokratja. Optimiste dhe e përkushtuar: për një të ardhme ku gratë vendosin për trupin e tyre, ku të gjitha mund të përballojnë përkujdesjen për fëmojët dhe të përfitojnë nga mundësitë e tyre.

Tone më të forta kundër Trumpit
Harrisi nuk e përdor më fjalën “gëzim” aq shpesh sa në fillim; ajo tani e prezanton veten si grua praktike, të dhembshur, të afërt dhe humane. Kur nëna e saj u sëmur nga kanceri, për shembull, ajo u kujdes për të, thotë ajo, para se të shpallë se përkujdesja në shtëpi do të mbulohet nga sigurimet shëndetësore në të ardhmen.

Trumpi, nga ana tjetër, thotë Harrisi, interesohet vetëm për veten e tij. Atij i pëlqen më mirë të mbjellë frikë dhe të trembë njerëzit sesa të bëjë atë që bëjnë liderët e vërtetë: të zgjidhin problemet.

Toni i Harrisit ndaj Trumpit është bërë gjithnjë e më i ashpër dhe personal ditët e fundit. Ai nuk është person serioz, por zgjedhja e tij do të kishte pasoja brutale të rënda, thotë ajo. Ai është “gjithnjë e më i paqëndrueshëm” dhe i shkëputur nga roli i Presidentit.

Lojërat e Trumpit
Ajo u referohet sulmeve agresive të Trumpit ndaj Partisë Demokrate dhe asaj që ai e konsideron “të majtën ekstreme”.Kjo sipas tij është armiku nga brenda, tha Trumpi gjatë fushatës së tij, “fundërrina që urren vendin tonë, një armik më i madh se Kina dhe Rusia”.

Por në kanalin televiziv Fox Business ai tha se të çmendurit radikalë të sëmurë mund të viheshin nën kontroll shumë shpejt, nëse është e nevojshme nga Garda Kombëtare ose Ushtria.

Përdorimi i ushtrisë kundër bashkatdhetarëve të vet ishte dikur e papërfytyrueshme në SHBA. Trumpin e duartrokasin për këtë.

Fitore me skenarë apokaliptikë?
Në një kohë që Harrisi ua paraqet Amerikën mbështetësve të saj si një vend me mundësi të mëdha, Trumpi flet për një vend në rënie, të rrënuar nga demokratët, të cilët lanë të hyjnë në vend miliona e miliona emigrantë kriminelë dhe të çmendur për të shkatërruar Amerikën.

Po të marrë Harrisi edhe katër vite të tjera, i gjithë vendi do të bëhet kamp refugjatësh, pretendon ai.

Trumpi i kërcënon kundërshtarët e tij politikë me hakmarrje dhe shpagim, edhe sepse gjoja e kanë manipuluar drejtësinë për ta futur në burg. Në vend të kësaj, ai u premton votuesve të tij që 5 Nëntori të jetë dita e çlirimit.

Po të shohësh fushatën, Harrisi dhe Trumpi duket se po flasin për dy vende të ndryshme. Mbështetësit e tyre jetojnë në botë që thuajse nuk komunikojnë. As Trumpi dhe as Harrisi nuk kanë shumicën pas vetes.

Vendi është i ndarë në dy pjesë të barabarta. Sido që të jetë rezultati i zgjedhjeve, në këtë nuk do të ndryshojë gjë./DW

Artikulli paraprakI shkreti Rama që të gjithë i hanë dardha pas shpinës, PS si frutat në pemë që presin radhën për të rënë në “gojën” e SPAK
Artikulli tjetër“Mbështesim SPAK”, Basha: Ndarja e politikës nga krimi prioritet për zhvillimin e vendit. Vettingu mbahet peng në Kuvend nga kolegët e Çyrbjas