Monitorimi i rreptë i fushatës elektorale dhe pjesëmarrjes së nëpunësve të administratës publike ka çuar dje në pezullimin e pesë drejtuesve të lartë në Ministrinë e Arsimit dhe Mirëqenies Sociale. Motivi ka qenë përfshirja e tyre në takime elektorale gjatë orarit të punës. Dje, ministrja teknike e Arsimit dhe Sportit, Mirela Karabina kërkoi pezullimin nga detyra të sekretarit të Përgjithshëm të kësaj ministrie, Plarent Ndreca. “Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Karabina për të siguruar mbarëvajtjen e procesit të Maturës Shtetërore 2017, ka urdhëruar sot pezullimin e menjëhershëm nga detyra të sekretarit të MAS, z. Plarent Ndreca deri në përfundim të hetimeve të filluara nga organi i akuzës”, thuhet në njoftim. Kërkesa për pezullim vjen pas kallëzimit në Prokurori ndaj Ndrecës, të cilin ministrja Karabina e akuzon për shkelje të rënda ligjore të tij gjatë procesit të Maturës Shtetërore. Nga ana tjetër, ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Xhulieta Kërtusha ka firmosur shkresat për kallëzim penal ndaj drejtuesve të disa institucioneve në rrethe, të cilët kanë marrë pjesë në fushatën elektorale gjatë orarit të punës. Me anë të një njoftimi bëhet me dije se në Prokurorinë e Tiranës është kallëzuar Marisa Kaçori, me funksion drejtor në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Tiranë. Po kështu, me anë të një shkrese të posaçme është informuar Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan mbi përfshirjen në fushatë të z. Ervis Xhelo me funksion drejtor i Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, Elbasan. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kukës është informuar mbi përfshirjen në fushatë të z. Gent Halili, me funksion drejtor në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Kukës. Gjithashtu, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë është informuar mbi përfshirjen në fushatë të znj. Luiza Qipo, me funksion përgjegjëse e Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore, Ersekë. Për të katërta rastet e lartpërmendura, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka vënë në dispozicion të Prokurorisë provat e depozituara që vërtetojnë pjesëmarrjen aktive në fushatën zgjedhore. Në shkresat e dërguara prokurorive të rrethit Tiranë, Korçë, Elbasan dhe Kukës, “është nënvizuar pozicioni drejtues i personave të lartpërmendur, për të cilët krijohet dyshimi i arsyeshëm për keqpërdorimin e burimeve njerëzore, si dhe të ndikimit të drejtpërdrejtë apo indirekt tek banorët e këtyre qyteteve që përfitojnë shërbime nga këto institucione apo punonjësve të administratës, duke tjetërsuar vullnetin e votës së lirë në favor të një subjekti të caktuar elektoral”.
Kryesore
Continue to the categoryEnriketa Papa propozon nderimin e Ina Kasimatit dhe uljen e taksave...
Këshilltarja e Demokratëve Euroatlantikë në Bashkinë e Tiranës, Enriketa Papa, në mbledhjen e sotme të këshillit bashkiak kërkoi që të nderohet figura e aktivistes...