Fushatë e ashpër zgjedhore në Britaninë e Madhe

Brexiti vjen në muajin pas zgjedhjeve, kreu i laburistëve, Jeremy Corbyn krahasohet me diktatorin sovjetik, Stalin, dhe opozita nuk ka gjë tjetër në mendje veçse të shkatërrojë pasurinë britanike – deklaratat e Boris Johnsonit nuk sinjalizojnë asgjë të mirë për fushatën e shkurtër zgjedhore në Britaninë e Madhe.

Në “Daily Telepgraph”, Boris Johnson shkroi mbi planet e politikës ekonomike të socialdemokratëve, se partia laburiste nën Jeremy Corbyn ka zhvilluar gati një urrejtje të plotë kundër çdo lloj përpjekjeje për përfitim. Sipas tij, laburistët janë gati të shkatërrojnë edhe bazat e mirëqenies britanike.

“Me kënaqësi dhe me ndjenjë hakmarrjeje”, tregohen me gisht individë, “si nuk është parë kurrë më parë që nga koha e Stalinit dhe kulakëve”. Me qëllim Boris Johnson përdor nocionin kulak, përcaktim përçmues për disa fermerë të pasur në kohën e Stalinit, nga të cilët mijëra u vranë nën sundimin e terrorit stalinist.

Laburistët duan revolucionin e gjelbër
Corbyn i hodhi poshtë menjëherë sulmet e Boris Johnsonit. “Kjo është çmenduria, që super të pasurit e përdorin aq shumë për të kursyer edhe ca më shumë tatime.”

Partia e tij synon të ngrejë brenda një dekade një milionë apartamente të përballueshme në çmim dhe të nisë punën për “revolucionin e gjelbër”, shkroi ai në twitter. Vërtet laburistët duan të bëjnë ndryshime në politikën ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar. Kjo parti kërkon të ngrejë tatimet për të pasurit dhe sipërmarrjet.

Por më i kontestuar është plani, që sipërmarrjet me më shumë se 250 punëtorë, duhet të dorëzojnë 10% të aksioneve të tyre në një fond, që kontrollohet nga punonjësit dhe që në fund të vitit u jep punëtorëve dividentët.

“Dalja nga BE brenda janarit”
Boris Johnson ka bërë edhe lidhjen mes sulmit me helm ndaj ish-spiunit rus, Sergej Skripal në Salisbury dhe laburistëve. “Bashkohuni me ne”, thirri ai. “Apo do qëndroni me Jeremy Corbyn dhe partinë laburiste, që kaluan në anën e Putinit, kur Rusia porositi sulmin me helm në rrugët e Salisburyt.”

Të mërkurën u hap fushata zgjedhore zyrtarisht në Britaninë e Madhe. Në Pallatin Buckingham tek Mbretëresha Elisabeth ai vulosi shpërndarjen e parlamentit britanik. Pas kësaj në Downing Street ai bëri të ditur, se” nga dita e parë e parlamentit të ri”, do të paraqesë marrëveshjen e Brexit, me qëllim që dalja e Britanisë së Madhe nga BE të hyjë në fuqi në janar.

“Gabimi më i madh në politikën e jashtme që pas kohës së luftës”
Startimi i fushatës zgjedhore të konservatorëve britanikë nuk ka qenë shumë pozitiv. Alun Cairns dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Wales, sepse ai me gjasë ka pasur dijeni për rolin e një ish-punonjësi të tij në një proces përdhunimi.

Edhe i besuari i Johnsonit, Jacob Rees-Mogg, duhet të kërkonte falje publikisht për një deklaratë shumë të kritikuar. Përfaqësuesi i linjës së ashpër të Brexitit ishte shprehur me përçmim për viktimat e zjarrit në Grenfell me 72 viktima.

Ndërkohë ish-presidenti i parlamentit britanik, John Bercow shprehu indinjatën e tij. Sapo la detyrën që e detyronte për neutralitet të plotë, konservatori e deklaroi Brexitin si “gabimin më të madh të politikës së jashtme që pas kohës së luftës”.

Dalja e Britanisë së Madhe nga BE nuk do të ndikojë pozitivisht në imazhin ndërkombëtar të Britanisë së Madhe, tha ai. “Tani nuk jam më “‘speaker’, tani nuk duhet të jem më i pavarur.”

Parlamenti i ri britanik do të zgjidhet më 12 dhjetor. Në sondazhe partia konservatore e Tory ka një avantazh disa pikësh para laburistëve të Jeremy Corbyn. Të enjten, kryeministri britanik udhëton në Skoci, ku shumica votoi kundër Brexit. Nacionalistët skoncezë përreth kryeministres, Nicola Sturgeon synojnë një votë të re për pavarësinë, në mënyrë që të shkëputen nga Mbretëria e Bashkuar.

Exit mobile version