Një fustan i Ajolës kushton 2 mijë euro, ndërsa Arditi vdiq në landfillin e Sharrës pa marrë dot pagën prej 100 euro nga bashkëshorti i Ajolës. Tragjedia e realitetit ku jetojmë. Taksapaguesit paguajnë, qeveritarët vjedhin. Bashkëshortet e pushtetarëve jetojnë në luksin e grabitjeve, ndërsa viktima të këtij realiteti janë të pafajshmit, fëmijë si në rastin e Ardit Gjoklajt, i cili humbi jetën për të siguruar pagesën për librat e shkollës.
Tre ditë më parë, Ajola Xoxe, publikoi foton e një fustani të saj në rrjetin social Facebook. Ajo thoshte se fustani ishte një dhuratë e bërë nga duart e arta të gjyshes së saj, e cila i kishte qëndisur edhe një trëndafil në njërin krah të fustanit. E vërteta ishte ndryshe. Fustani ishte i firmës së njohur të modës, “”Dolce & Gabbana”. Vlera e saj kushtonte jo pak, por plot 1985 euro. Cila është puna që bën Ajola? Cila është vlera e pasurisë së saj që i lejon vetes një luks të tillë? Ajola është bashkëshortja e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Ky është statusi i saj dhe ky status e bën që t’i lejojë vetes edhe fustanë që kushtojnë deri në 2 mijë euro. Një luks të cilin do ta kishin zili edhe biznesmenët më të pasur sot kudo në Europë që qarkullojnë me miliona euro pasuri.
Zonja Xoxe i dëshmoi opinionit një mashtrim të madh të një familje të gënjeshtërt. Fustani nuk është i pari dhe as i fundit në radhën e mashtrimeve të çiftit Veliaj. Dasma e organizuar në Kalanë e Gjirokastrës e çiftit ishte një tjetër shembull i arrogancës së hajdutëve të veshur me pushtet. Një dasëm në të cilën u shpenzuan disa qindra mijëra euro për luksin e shfrenuar. Ku i mori paratë për atë dasëm. Veliaj atëherë dha një tjetër mashtrim, “dasmën e kishte bërë me kursimet e mamasë”.
Notojnë në luksin e parave që për çdo ditë i grabisin shqiptarëve, duke shijuar korrupsionin politik. Më pas, bëhen arrogantë, sepse partia-shtet ka nënshtruar të gjitha institucionet dhe ata kanë fituar imunitet edhe nga hetimet dhe drejtësia. Është po ky Kryebashkiak, i cili sa herë i del një skandal në media nxiton të pastrojë fytyrën e pistë të korrupsionit, duke takuar fëmijë apo nxënës shkollash. Hipokrizi dhe shtrirje deri në neveri. Këtë bëri edhe një ditë, pasi mediat dhanë lajmin e vdekjes së 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në impiantin e plehrave në Sharrë. Shkoi dhe pozoi me fëmijë që i mbajti në krah si për të na treguar se vrasësi i Sharrës kërkon të shfaqet si një ëngjëll i mbrojtjes së fëmijëve. Këtë bëri edhe dy ditë më parë kur pas skandalit me mashtrimin me fustanin e Ajolës u shfaq sërish në karh të fëmijëve.