Shumë ndeshje dhe shumë interesa në mes. Prej kohësh disa prej emrave më të njohur të futbollit botëror kundërshtojnë trendin që po shtrydh futbollistët. Kampionatet duhen rishikuar, pasi nevojiten formula me më pak skuadra dhe në këtë mënyrë do të rritej niveli teknik dhe do të ulej ndjeshëm numri i dëmtimeve. Kjo është rruga që propozojnë njerëzit kundër numrit të madh të ndeshjeve, mes të cilëve është edhe drejtuesi i lartë i Bayernit të Mynihut, Karl Heinz Rummenigge, sipas të cilit, vendimi për ta zgjeruar në 24 numrin e skuadrave në Europian, nuk ishte i menduar mirë. Sipas administratorit të deleguar të skuadrës bavareze, prej kohësh nuk po respektohen mendimet e lojtarëve.
“Zgjedhjet e bëra kanë rritur ndjeshëm numrin e ndeshjeve, çka do të thotë më shumë impenjime për lojtarët. Ne si klub nuk do ta pranojmë më që turnetë të fryhen edhe më shumë, sepse kjo nuk është e mirë për atletët. Ndeshjet e kombëtareve janë rritur në mënyrë dramatike dhe kjo duhet të korrigjohet”, u shpreh Rumenige.
Rummenigge shkon edhe më tej, duke sqaruar se protesta e tij nuk do të ndalet thjesht te fjalët. “Pas pak ditësh do të takohem me Federatën Ndërkombëtare të Futbollistëve Profesionistë dhe do të hartojmë një plan proteste. Do të ndërmarrim një inisiativë që nuk do t’i pëlqejë aspak FIFA-s dhe UEFA-s. Gjithashtu, në mes është edhe problemi i sponsorizimeve. Rivali jonë më i madh nuk është Borussia Dortmund, por Kombëtarja e Gjermanisë dhe po ju jap një shembull. Ne kemi një kontratë me kompaninë Audi, por gjatë europianit, federata i detyroi lojtarët tanë të reklamonin markën Mercedes. Gjëra të tilla nuk janë të pranueshme”, tha ai.
Gjithsesi, pavarësisht problemeve, Bayerni i Mynihut nuk do t’i pengojë asnjëherë lojtarët për të përfaqësuar kombëtaren. “Do të ishte e gabuar. Unë personalisht kam luajtur 95 ndeshje me Gjermaninë dhe e di shumë mirë vlerën që kanë kombëtaret. Kjo vlerë nuk duhet të ridimensionohet nga askush, por federatat nuk kontribuojnë asnjëherë në pagesat e lojtarëve”, përfundoi Rumenige.
Pak ditë më parë, Bastian Schweinsteiger i dha lamtumirën kombëtares gjermane. Ishte largimi i një ikone nga 4 herë kampionët e Botës dhe Filip Lahm, që me mesfushorin kanë luajtur bashkë për shumë vite si te Bajern gjithashtu dhe në kombëtare kujton me nostaligji emocionet që kanë kaluar së bashku. “Largimi i Bastian nga përfaqësuesja ishte një vendim i tiji dhe duhet respektuar. Ai ka luajtur 120 ndeshje për kombëtaren. Bashkë kemi fituar Kupën e Botës dhe kemi patur shumë momente të bukura. Besoj se ka patur një karrierë të jashtëzakonshme dhe meriton respekt maksimal për atë që ka dhënë për përfaqësuesen. Personalisht jam krenar që e kam patur shok skuadre, pasi atij mund t’i besoje gjithçka si brenda gjithashtu dhe jashtë fushe”, tha Lahm.
Filip Lahm foli dhe për aventurën angleze të Schweinsteiger-it, duke theksuar se vendimi për të ardhmen i përket atij dhe vetëm atij. “I kam ndjekur të gjitha ngjarjet e tij te United, por nuk dua të ndërhyj në çështje që i takojnë atij. Besoj se ai ka përvojën e duhur për të marrë një vendim, nëse kërkon të qëndrojë në “Old Trafford” apo të largohet”, tha ai.