Teo Hernandez është një nga zbulimet e sezonit të fundit në kampionatin spanjoll të futbollit. Mbrojtësi 19-vjeçar, i huazuar nga Atletiko Madrid te Deportivo Alavesh, ka rënë në sy me paraqitjet e tij, aq sa Real Madrid ka vendosur të blejë kartonin e lojtarit duke paguar klauzolën e largimit prej 24 milionë eurosh të futbollistit për t’ia rrëmbyer “kushërinjve”.
Por ndoshta Zinedin Zidan duhet të fillojë të mendohet mirë nëse ia vlen ky investim, duke pasur parasysh karakterin e futbollistit francez, i cili mesa duket nuk ndjek edhe aq shumë rregullat.
Teo Hernandez pritej që të martën në grumbullim me përfaqësuesen U-21 të Francës, për të udhëtuar drejt Shqipërisë ku ka të planifikuar një miqësore me kombëtaren kuqezi të drejtuar nga Alban Bushi.
Por Hernandez jo vetëm që nuk është paraqitur në grumbullim, por as nuk ka njoftuar Federatën se ku është. Vetëm falë rrjeteve sociale është mësuar se ai gjendej në Marbela bashkë me disa shokë të skuadrës të Alavesh, pasi është postuar një foto ku shihet ai duke bërë plazh.
“Nuk kam asnjë shpjegim për këtë situatë për momentin”, tha trajneri i U-21 të Francës, Riopoll. “Thjesht kemi mbajtur shënime për këtë mungesë dhe në javët e ardhshme do të takohemi që ai t’i shpjegojë gjërat Federatës”.