Futbollisti i Skënderbeut, Bruno Dita, e ka publikuar një mesazh në llogarinë e tij në Instagram, për ta falënderuar Kosovën dhe vendet e tjera evropiane që e ndihmuan Shqipërisë gjatë ditëve pas tërmetit që e goditi zonën e Durrësit.
50 persona kanë mbetur të vdekur dhe qindra të tjerë janë lënduar shkaku i një seri tërmetesh që e kanë goditur zonën e Durrësit në Shqipëri që nga orët e hershme të mëngjesit të së martës, shkruan Gazeta Express.
Menjëherë pas lajmeve për këtë fatkeqësi natyrore, grupi i tifozëve Plisat e filluan aksionin humanitar për të grumbulluar ndihma për të gjithë të prekurit nga tërmeti. Përveç se dërguan ndihma në Shqipëri, Plisat morën me vete në Kosovë edhe shumë durrsakë, të cilëve u ofruan strehim.
Këtij aksioni të Plisave iu bashkuan edhe grupet e tjera të tifozëve në Kosovë, përderisa qytetarët dhuruan para dhe ndihma, qeveria dhe qeveritë lokale dhuruan para, ndërsa Forca e Sigurisë së Kosovës ndihmoi në aksionin e kërkim-shpëtimit.
Duke parë sensibilizimin e madh që ka ardhur nga ana e vëllezërve kosovarëve, por edhe nga gjithë Evropa, Dita ka shkruar në “Instagram”.
“Kosovarëve që ua shesim ujin 5 euro, dhomat 100 euro, sallatën për levrek të cilësisë së parë, nuk pyetën dy herë për t’u futur në rrënoja vetëm për një jetë më shumë”.
“Grekët që ne i “urrejmë” me shpirt u gjenden të parët dhe të pakursyer për të shpëtuar jetët tona”.
“Francezët që nuk na donin në Evropë, italianët që ishin racistë janë aty. Serbët, kroatët dhe rumunët janë aty, siç duhet të jenë kur miku ka vështirësi”.