Gabriel Barbosa mendon se minutat që i dhuroi Pioli në ndeshjen e fundit të vitit e kanë ndihmuar që të largojë etiketën e “të dështuarit”. 21-vjeçari nga Brazili dha një intervistë të shkurtër për mediat italiane, ku pranoi se ende nuk kishte shfaqur potencialin e tij të madh.
-Çfarë ke për të thënë për javët e para në Itali?
Jam shumë i lumtur. E di që duhet të bëj durim. Jam stërvitur çdo ditë për t’u përmirësuar, pasi dua që të jem gati sa herë të kenë nevojë për mua. Nëse keni parë ndeshjen që bëra kundër Lacios, do të kuptoni se procesi i përshtatjes po shkon mirë. Plani im është që të qëndroj në Milano për të treguar tek Interi ato që kam bërë edhe te Santosi.
-Kur the se të duhej durim ishte këshillë edhe për kritikët?
Mendoj se shumica e njerëzve që flet për mua thonë gjëra pa kuptim. Futbolli italian ka tjetër stil loje dhe përbëhet prej lojtarësh të mëdhenj. Unë erdha në moshë të re këtu dhe tani më duhet të përballem me lojtarë që kanë shumë eksperiencë. Kam mësuar shumë që prej momentit që mbërrita këtu. Mendoj se ambientimi im është çështje kohe. Asnjë lojtar nuk nis karrierën si titullar. Në Itali ka shumë lloje lojtarësh, por asnjëri nuk ka stilin tim.
-Thonë se do që të rikthehesh në Brazil…
Jo, nuk dua të shkoj në Brazil. Jam i lumtur tek Interi. Jetoj në Milano prej tre muajsh dhe po mësohem me jetesën këtu. Edhe pse dua që të luaj më shumë, jam i lumtur pasi mënyra si rrodhën ngjarjet në ndeshjen e fundit më kanë gëzuar. Tifozët u dëfryen prej meje, shpresoj të qëndroj këtu.
-Ke luajtur shumë pak, por së fundmi duket se trajneri të ka në fokus…
Unë duhet që të luaj gjithmonë, por nga ana tjetër jam me këmbë në tokë dhe them se duhet që të bëj maksimumin për të shfrytëzuar rastet që do të më jepen. Në këtë drejtim duhet që të vë në vështirësi trajnerin, duke bërë gjithmonë paraqitje të mira.
-Edhe menaxheri yt ka thënë se shpeshherë të kanë paragjykuar me pa të drejtë…
Siç e thashë edhe më lart, për mua nuk ka asgjë të re. Në botën e futbollit lejohet gjithçka, edhe pse njerëzit duhet që të tregohen të kujdesshëm. Nuk mund të flasësh për dikë pa e njohur ose pa u bazuar në fakte reale. Për mua kanë thënë se kam qenë jashtë forme, por kjo nuk është e vërtetë.
-Cili është objektivi në këtë pikë të sezonit?
Interi nuk ka treguar vazhdueshmëri gjatë kësaj kohe, prandaj them se sapo të gjejmë rrugën e duhur duhet të nisim një numër të konsiderueshëm fitoresh radhazi. Vendi i tretë më duket i arritshëm. Jam optimist, pasi kemi një ekip të kompletuar.
-Çfarë të jep kaq besim?
Unë jam i bindur se kemi një ekip të mirë, pasi trajneri ka shumë lojtarë në dispozicion. Grupi është i kompletuar dhe për trajnerin duhet vetëm që të bëjë zgjedhjet e duhura. Shikoni çfarë ndodhi kundër Lacios. Na mungonin disa lojtarë, por ata që u futën në fushë bënë që mungesa e atyre të mos ndihej. Interi ka një organikë të plotësuar. Mendoj se mund të jemi ekipi i vetëm që do të rivalizojë fort Juventusin vitet që do të vijnë.