Gabigol drejt largimit nga Interi

Interi po finalizon goditjet në merkato për përforcimin e skuadrës së Spallettit, por nga ana tjetër duhet edhe të shesë. Pas Murillos dhe Medel është radha e Gabigol dhe Ansaldit. Për sulmuesin brazilian është e sigurt largimi në huazim për të luajtur rregullisht dhe Sporting Lisbon është në krye të preferencave. Për mbrojtësin argjentinas është vetë agjenti që ka zbuluar se Valencia dhe Fenerbahçe kanë kërkuar informacion për të mundësuar blerjen e tij nga Interi.
Fiorentina ka gjetur pasuesin e Federico Bernardeschit në sulm. Vetëm në rast të ndonjë surprize të fundit mund të pengojë Jese Rodriguez të zbarkojë në Firenze për të nisur një aventurë të re. Spanjolli, i cili nuk është në planet e Emery te Paris Saint Germain, gjysmën e sezonit të kaluar u huazua te Las Palmas ndërsa tani do të huazohet për 2 sezone te Fiorentina me të drejtë të detyruar blerjeje. Gjithsesi për dy sezonet e huazimit, një pjesë e pagës së sulmuesit do të mbulohet edhe nga klubi francez.
E ardhmja e talentit Moise Keane është ende një pikëpyetje. Sulmuesi 17-vjeçar pëlqehet nga shumë ekipe në Itali dhe jashtë saj, por klubi i ka idetë e qarta për të, nëse nuk firmos rinovimin nuk do të ketë mundësi të luajë në një ekip tjetër. Gjithashtu, e ardhmja e tij varet edhe nga afrimi i Keita Balde pasi Keane do të jetë zëvendësuesi i Higuain nëse dështon blerja e lojtarit të Lazios.
Sampdoria duket e dorëzuar për largimin e Patrick Schick dhe tashmë nuk ka më rëndësi ekipi ku do të shkojë, pasi klubi do të arkëtojë 30 mln euro, ndërsa tani misioni është të gjejë pasuesin e sulmuesit çek. Ideja më e fundit e presidentit Ferrero është Duvan Zapata i Napolit, të cilin De Laurentiis e vlerëson 26 mln euro. Një shifër tepër e lartë kjo për Sampdorian, por palët pritet të ulen në tavolinë për të negociuar këtë operacion të rëndësishëm.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërDybala merr nr. 10