Inter me goditje të dyfishtë në merkato. Zikaltërit janë gati ta mbyllin sezonin e transferimve me dyshen Gabigol dhe Joao Mario. Sulmuesi brazilian dhe mesfushori portugez pritet që në orët në vazhdim të zbarkojnë në Itali. Edhe pse drejtuesit e Interit kishin si opsion muajin janar për transferimin e sulmuesit të Santosit, tratativat janë përshpejtuar, duke dashur të mos rrezikojnë, pasi klubet e interesuara për 19-vjeçarin ishin të shumtë. Ende nuk dihen detajet e kontratës dhe paga që do të përfitojë Gabigol. Për brazilianin, Interi do të paguajë 25 milionë euro.
Ndërkohë po në orët në vazhdim pritet të firmosë kontratën dhe mesfushori Joao Mario. Portugezi prej kohësh ishte vënë në qendër të vëmendjes nga ana zikaltërve dhe më në fund misioni u realizua me sukses. Për 23-vjeçarin, Inter do të derdhë në arkat e Sportingut të Lisobonës 40 milionë euro. Kështu, Interi mbyll me këta dy futbollistë sezonin e transferimeve që duhet t’ua lërë vendin rezultateve pozitive.
Carlos Bacca është njeri i momentit në shtëpinë e Milanit. Sulmuesi kolumbian, autor i një tregolëshi në suksesin 3-2 me Torinon në javën e parë të Serisë A në një intervistë për mediat italiane qetëson tifozët kuqezi, duke i siguruar se tashmë e ka marrë vendimin për të qëndruar te “Djalli”.
“E refuzova ofertën e West Ham-it, sepse mendova për familjen time. Fola me Gallianin, i cili më tha se edhe klubi dëshironte që unë të qëndroja. Unë jam i sinqertë dhe më pëlqen ta dëgjoj që jam i rëndësishëm për shoqërinë. Tifozëve u them të jenë të qetë, për mua merkatoja është mbyllur. Kisha oferta edhe nga skuadra të tjera italiane dhe nga Franca, por asnjëra prej tyre nuk më bindi 100%”, u shpreh ai.
Një ndikim të madh për qëndrimin e Bacca-s ka patur edhe trajneri Vincenzo Montella, për të cilin 29-vjeçari flet me superlativa.
“Montella ma tha hapur se do t’i vinte keq, nëse do të largohesha dhe se më konsideron një lider, një sulmues që shënon shumë gola, siç bënte edhe ai. Ndjeva besimin e tij dhe e di që në lojën që ai dëshiron të ndihem mirë. I përshtatem punës në shërbim të skuadrës, kështu ka ndodhur gjithmonë”, tha Baka. Në fund, Bacca tregon objektivat që ka me Milanin dhe dëshirën për të qenë protagonist në Kupat e Europës.
Dua Europën me këtë fanellë, po punoj shumë për këtë objektiv. Mentaliteti im dhe i klubit është europian. Për Milanin pjesëmarrja në Kupat e Europës është detyrim.