Gabigol mund të largohet nga Interi

Gabriel Barbosa, i njohur si Gabigol, erdhi me shumë bujë te Interi si lojtari që do të kthehej në Ronaldon e ri të zikaltërve. Por vetëm 16 minuta në fushë kanë bërë që “objekti misterioz” i blerë për 27,5 milionë euro nga Santos, të rrezikojë të jepet huazim në një prej ekipeve të tjera italiane pasi nuk ka vend në skuadër.
Mediat italiane bëjnë të ditur se Pioli u ka bërë të qartë drejtuesve të klubit se do të shohë edhe dy javë paraqitjet në stërvitje të lojtarit, i cili me fanellën zikaltër ka luajtur vetëm 16 minuta në Serinë A. Në fund, ai do të vendosë nëse Gabigol do të qëndrojë edhe për pjesën e dytë të sezonit apo do të jepet në huazim.
Emri i parë në listën e pretendentëve për futbollistin, i cili mund të përfundonte te Barcelona para se të zgjidhte Interin, është Peskara. Atje ai do t’i bëjë konkurrencë Rei Manajt në repartin e sulmit të një ekipi që po lufton për mbijetesën, sigurisht diçka që Gabigol nuk e kishte imagjinuar në momentin kur iu bashkua ekipit italian apo kur luante përkrah Nejmar në radhët e Seleçaos.
Ndërkohë, Massimo Moratti, vlerëson Stefano Piolin. Interi që u pa në fushë në derbin ndaj Milanit, ka kënaqur ish-presidentin e klubit zikaltër, i cili ka thurur elozhe për teknikun e ri. “Vura re që pasioni i tij i është transmetuar edhe skuadrës që ndaj Milanit luajti me shumë karakter. Ky barazim ishte i rëndësishëm sepse do të ishte një zhgënjim i madh për ne po të kishim humbur një sfidë të tillë, të cilën e luajtëm shumë mirë dhe kishim epërsi territoriale ndaj kundërshtarit gjatë gjithë kohës”, theksoi fillimisht Moratti.
Më pas manjati italian përgënjeshtroi zërat që flasin për një rikthim të tijin te Interi. “Unë do të vazhdoj të jem një tifoz, por nuk do të rikthehem në klubin zikaltër, Interi tashmë ka drejtues të aftë për t’i bërë gjërat mirë”, nënvizoi ish-numri 1.
Me barazimin në derbi, Interi i Stefano Piolit pozicionohet 8 pikë larg zonës Champions dhe 5 ndeshjet e ardhshme nga tani e deri për Krishtlindje, do të jenë vendimtare për ecurinë e këtij sezoni. Interi përjashto Juventusin ka 7 skuadra përpara në renditje dhe tashmë hapat falsë për skuadrën zikaltër janë të ndaluar.

Exit mobile version