Agjenti i Gabriel Barbosa sulmon drejtuesit e Interit. Mos aktivizimi i sulmuesit të klubit zikaltër, i njohur me nofkën Gabigol, ka bërë që menaxheri i tij, Wagner Riberio të reagojë ashpër ndaj drejtuesve të Interit. Në lidhje me të ardhmen e sulmuesit brazilian, Riberio ka pasur mendime të ndryshme. Në disa raste ai shprehur pro largimit të lojtarit të tij, e në disa raste kundër, por kësaj here lamtumira duket e pashmangshme.
“Në janar do të flas me drejtuesit e klubit edhe me trajnerin Pioli, për të kuptuar se çfarë kanë ndërmend të bëjnë me Gabigol. Do t’i japin ndonjë shans apo ndoshta do të ishte më mirë që ai të largohej nga skuadra. Është e papranueshme që klienti im të mos aktivizohet. Atij po i mohohet e drejta për t’i dhënë një mundësi dhe ky është një veprim aspak normal, nga ana e Presidencës së Interit por, edhe e trajnerit. Nuk dua ta detyroj trajnerin Pioli, por nëse nuk ka ndërmend ta aktivizojë, do të ishte më mirë që pjesën e mbetur të sezonit ai të luante diku tjetër”.
Më tej, Wagner Riberio deklaroi se gjatë Lojërave Olimpike të zhvilluara në Brazil “Rio 2016” ka pasur një takim me Presidentin e Interit, Erik Thohir. Ky i fundit i pati premtuar agjentit nëse sulmuesi do të transferohej në radhët e zikaltërve do ta ndihmonte atë të shndërrohej në një nga futbollistët më të mirë të klubit zikaltër. Situata duket e papranueshme dhe për të parë fundin e kësaj telenovele, ndoshta merkato dimërore do t’i japë një përgjigje të ardhmes së Gabriel Barbosa.