Gabimet e arbitrit

Sa shumë gabime në vetëm një ndeshje. Duke parë atë çfarë ndodhi në çerekfinalen e kthimit të Championsit mes Realit të Madridit dhe Bayern Munich do të ishte më mirë të ekzistonte moviola në fushë. Ishte gjyqtari hungarez Viktor Kassai ai që vendosi fatet e kualifikimit të skuadrës së Zidane në gjysmëfinale pasi me vendimet e tij u bë protagonisti kryesor i sfidës. E drejtë revolta e lojtarëve të Bayern-it në fund të ndeshjes në drejtim të xhaketave të zeza. Në fakt edhe skuadra gjermane u favorizua në një episod të vetëm nga gjyqtari hungarez.
Gabimet e Kassait dhe asistentëve të tij nisën në momentin e golit të dytë të Bayern-it, i cili duhej anuluar. Edhe pse ishte Sergio Ramos ai që dërgoi topin në rrjetën e tij, në aksion u përfshi Lewandowski, i cili në momentin që u asistua nga Muller me gjoks ishte më i avancuar se mbrojtësit kundërshtarë. I turpshëm më pas goli i barazimit i Realit nga ana e Cristiano Ronaldos. Portugezi ishte më shumë se gjysmë metri në pozicion jashtë loje, por në atë moment gjyqtari anësor mbylli sytë duke e akorduar të rregullt. Edhe goli që përmbysi shifrat në favor të Los Blancos që mban sërish firmën e Cristiano Ronaldos duhej anuluar sepse portugezi ishte pak centimetra më i avancuar se Marcelo në momentin e pasimit të brazilianit.
Por gabimet e gjyqtarit Viktor Kassai nuk përfundojnë këtu. Hungarezi i nxori kartonin e dytë të verdhë, kilianit Vidal për një faull inekzistent kur pamjet e përsëritura tregojnë qartë që mesfushori ka prekur topin. Ndërkohë më herët Casemiro i ndëshkuar me karton të verdhë duhet të ishte përjashtur nga loja me të kuq për një ndërhyrje të rëndë ndaj Robben që minimalisht meritonte karton të verdhë. Nëse Reali i Madridit është kualifikuar në gjysmëfinalet e Champions-it duhet të falënderojë Viktor Kassai, i cili me vendimet e tij i prishi bukurinë një ndeshjeje spektakolare.
Sfida mes “Los Blancos” dhe skuadrës së Carlo Ancelottit dhuroi shumë gola dhe emocione deri në minutën e 120 ku Reali triumfoi me rezultatin e përgjithshëm 4-2. 90 minutat e rregullta u mbyllën 2-1 në favor të gjermanëve, por dalja e Vidal me karton të kuq e penalizoi jo pak Bayernin që pësoi plot 3 gola në kohën shtesë.
Cristiano Ronaldo me 3 realizime personale dhe Asensio zhvlerëzuan golat e Lewandowskit dhe autogolin e Ramos në një ndeshje ku Bayerni bëri gjithçka mirë në kohën e rregullt, por nuk arriti ta kalonte testin e forcës edhe në 30 minutëshin e shtesës ku golin e barazimit Reali e shënoi në një pozicion të dyshimtë jashtë loje. Me këtë sukses, skuadra e Zidane rrit mundësinë për të arritur në një tjetër finale pas asaj të fituar një vit më parë në “San Siro”.

Exit mobile version