Gabriel Escobar merr i pari librin “KOSOVO” të ish-ambasadorit Arben Çejku, botim i UET PRESS

Libri i ish-ambasadorit Arben Çejku, “Kosova, Sovraniteti vs Integriteti”, i sapobotuar në gjuhën angleze nga UET Press, ka rënë në duart e diplomatit Gabriel Escobar, i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor. Atij i është dhuruar një kopje nga Albanian American Council në Washington D.C.

“I lumtur që një kopje të librit tim për Kosovën e mori sot këtu në D.C., Ambasadori Gabriel Escobar, një nga diplomatët e shkëlqyer të SHBA, të cilët vijojnë mbështetjen e tyre për fuqizimin e Kosovës dhe perspektivën euro-atlantike të rajonit tonë!”, shkruan në rrjetet sociale autori.

Gabriel Escobar ka shërbyer për tre vjet si Zëvendës Ndihmës Sekretar dhe i Dërguar Special për Çështjet Euro-Aziatike dhe si i Dërguar Special për Çështjet e Ballkanit Perëndimor. Në mediat shqiptare ka qenë shpesh i diskutuar për shkak të përfshirjes në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke u ulur disa herë me palët në tryezë, por pa arritur që të zgjidhë plotësisht mosmarrëveshjet mes palëve.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, ai do të vazhdojë të mbajë këtë post deri në fund të muajit maj, pasi është emëruar në një detyrë të re si diplomat. Pavarësisht kësaj, ai mbetet një figurë që ka pasur impaktin e vet në rajonin e Ballkanit e kryesisht në Kosovë, e për këtë arsye i është dhuruar libri i Çejkut, i cili rrek të nxjerrë në pah problemin që mbetet prej vitesh në kurrizin e Kosovës.

Si ish-shef i Misionit Diplomatik të Shqipërisë në Kosovë, nga viti 2005 deri në 2009, e më pas ambasador në Maqedoninë e Veriut (2009- 2013), Çejku ka përshkruar në librin e tij gjithë prapaskenat e dialogut dhe pajtimit mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, nga viti 2005 deri në 2020.

Libri i botuar në shqip në 2020, me parathënie nga profesori i Columbia University David L. Philips, u soll në gjuhën angleze në fillim të majit nga shtëpia botuese UET PRESS. Përkthimi i veprës voluminoze është bërë me mjeshtëri nga ambasadori Avni Spahiu, ndërsa autori e ka plotësuar me një parathënie të shkurtër në formë reflektimi mbi sfidat e dialogut prej vitit 2020, duke nënvizuar mungesën e progresit dhe rëndësinë e arritjes së një paqeje të qëndrueshme si garante e shtetësisë së Kosovës dhe interesit kombëtar shqiptar në Ballkan.

Risjellja e këtij botimi në gjuhën angleze evidenton edhe njëherë nevojën për gjetjen e një zgjidhje mes dy vendeve, duke e shkëputur Kosovën nga vargonjtë e Serbisë, e cila mban peng shqiptarët dhe veten në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Duke përdorur praktikën diplomatike, publicistikën dhe thellësinë analitike, Çejku synon të hedhë dritë në disa nga momentet kyçe të rrugëtimit të shtetit të Kosovës, duke shërbyer për ndërkomëbtarët si një burim që i sheh ngjarjet në kontekstin lokal.

Siç shkruan dhe Altin Gjeta, “libri në versionin anglisht iluminon dilemat me të cilat përballet Kosova dhe Perëndimi përballë zgjedhjes mes sovranitetit dhe integritetit. Arben Çejku nuk ofron formula të gatshme, por analiza e tij komplekse gjeneron zgjidhje të mundshme për forcimin e mëtejshëm të shtetit të Kosovës duke vendosur theksin tek largpamësia dhe lidershipi përtej interesave politike të ditës”.

Mbi të gjitha ky libër i Çejkut mbetet një kontribut i vyer në çështjen shqiptare, për të vetëdijësuar vendimarrësit politik dhe rrethet akademike në botë për të mbështetur një Kosovë sovrane dhe me integritet të plotë territorial.

Exit mobile version