Ishin të shumta klubet që e kërkonin, përfshi edhe Inter-in. Të gjitha kishin dalluar të ardhmen e futbollit te talenti i pastër brazilian. Por Gabriel Jesus më pas zgjodhi Manchester City-n, duke preferuar Premier League-n ndaj kampionateve të tjera të futbollit elitar europian. Përshtatja me kampionatin anglez ka qenë jashtëzakonisht mbresëlënëse: 19 prezenca, 13 gola vetëm në Premier League. Paraqitje të cilat i kanë bërë të interesuarit e tjerë të ndjejnë keqardhje. Ai që e ka zbuluar prapaskenën që e solli te City, ka qenë vetë Jesus gjatë një interviste për “Four Four Two”:
“Guardiola më mori në telefon dhe më tha se do të bëhesha pjesë e rëndësishme e projektit të tij. Kjo sigurisht më bëri të ndihesha i dëshiruar dhe ndikoi shumë në zgjedhjen time për Manchester City-n. Ishin të shumta klubet që më kërkonin, por vendosa të zgjedh Citizens. Kur mbërrita në Mançester nuk shkova as në hotel, por drejt e në fushën e stërvitjes. Ishte ora 6 e pasdites dhe Guardiola po më priste. Stërvitja ishte bërë në mëngjes, por ai ndodhej aty për mua. Në atë moment e kuptova se është një trajner i një niveli tjetër”, u shpreh Gabriel Jesus.