Galiani: Futbolli italian ka nevojë të reklamohet

Adriano Galiani beson se Milani do të arrijë të hakmerret ndaj Juves në Superkupën e Italisë që do të zhvillohet në Doha të Katarit për humbjen në finalen e Kupës së 21 majit të këtij viti. Sipas administratorit të deleguar të kuqezinjve, në ndeshjet me bardhezinjtë, Milani këtë vit është në ekulibër të plotë.
“Nuk meritonim ta humbisnim finalen e kupës së Italisë, por në atë ndeshje ashtu rodhën ngjarjet, shpresojmë të fitojmë Superkupën. Diferenca me Juventusin në Serinë A? Gjatë këtij viti kemi luajtur dy ndeshje të kampionatit me Juventusin dhe secila skuadër ka fituar një ndeshje. Shpresoj që edhe këtë radhë të jetë një ndeshje e ekuilibruar”, u shpreh Galiani.
I pyetur për 11-shen kuqezi që do të zbresë në fushë Galiani zbulon diçka nga formacioni i Montellës. “Nuk mund të jesh i ri dhe të kesh eksperiencë, janë dy gjëra që nuk shkojnë bashkë. Ne në fakt do t’u besojmë të rinjve italiane, do të aktivizojmë 7-8 prej tyre. Mendoj se nuk është e vështirë për ta kuptuar se për cilët po flas. Romagnoli, Locatelli, Donarumma, janë të gjitha zgjedhje të presidentit Berlusconi. Ai do një Milan të ri dhe italian”, tha ai.
Përsa i përket vendimit për ta luajtur në Doha Superkupën, Galiani shtoi se futbolli italian duhet të njihet më shumë nëpër botë, pra duhet eksportuar, sepse reklamimi vlen shumë. Drejtuesi kuqezi deklaroi madje se do të ishte i gatshëm që edhe ndonjë ndeshje të Serisë A ta luante jashtë Italisë.

Artikulli paraprakInteri fillon të bindë me Piolin
Artikulli tjetërBauza: Unë lë stolin nëse formacionin ma bën Mesi