Galiani në Madrid

Në shkallët e stadiumit “Santiago Bernabeu”, i pranishëm në tribunën “VIP” të impiantit për të parë takimin e dytë gjysmëfinal të Ligës së Kampioneve mes Real Madridit dhe Mançester Sitit ishte edhe administratori i Milanit, Adriano Galiani. Ai udhëtoi jo vetëm për të parë ndeshjen, por edhe për të kryer një takim të programuar që më parë.
Kush do të jetë bashkëbiseduesi? Trajneri kilian i Mançester Sitit, Manuel Pelegrini. Në fund të sezonit, strategu kilian do të lërë stolin e britanikëve, teksa siç është bërë e ditur më herët do të zëvendësohet nga Pep Guardiola. Pelegrini ka deklaruar dy ditë më parë se preferon të drejtojë një ekip të Serisë A, duke lëshuar kështu sinjalet e para. Sinjale që kanë mbërritur në veshin e Galianit, i cili ka fluturuar drejt Madridit për të takuar trajnerin e skuadrës së Sitit që pas 30 qershorit do të jetë pa skuadër. “Milano më pëlqen, por aty dua të shkoj për të luajtur finalen e Ligës së Kampionëve. Më pas të shohim, pasi nuk dua ta zbuloj që tani të ardhmen time.
Sigurisht, mund të them se çdo trajner ëndërron të drejtojë një skuadër në Serinë A. Jam në kërkim të një projekti ambicioz që të punoj i qetë”, ka thënë Pelegrini para ndeshjes. Nuk dihet nëse takimi është zhvilluar para apo pas sfidës së djeshme, por duket se kjo “martesë” është në rrugën e duhur. Sakaq, trajneri aktual i Milanit, Kristian Broki, me të gjitha gjasat do të largohet në fund të sezonit nga drejtimi i kuqezinjve.
Presidenti i Milanit, Silvio Berluskoni, ishte i qartë qysh në fillim, teksa i dha kohë teknikut të zëvendësojë Sinisha Mihajloviçin gjashtë ndeshje për të fituar besimin e klubit. Mirëpo, Broki deri më tani numëron vetëm një fitore, atë kundër Sampdorias, teksa ka barazuar me Karpin dhe Frozinonen në “San Siro” dhe është mundur nga Verona, ekipi që renditet në vendin e fundit në Itali.
Ndërkohë, menaxheri i Ibrahimoviç ka lëshuar sinjale për një rikthim të suedezit te Milani. Edhe pse merkato është ende larg, një nga menaxherët më të rëndësishëm në botën e futbollit Mino Raiola, ka trazuar ujërat e transferimeve. Sigurisht kur përmendet Mino, kryefjala e tij është sulmuesi Zlantan Ibrahimovich, të cilit në fund të këtij sezoni i përfundon kontrata me skuadrën e Paris Saint Germmain dhe siç e ka njoftuar dhe vetë suedezi nuk do ta rinovojë atë. Nisur nga kjo bomberi 34-vjeçar është në kërkim të një aventure të re. Emri i tij është shumë i lakuar në Premier League-n angleze, Major League Soccer dhe së fundmi ka dalë Kina, që është e gatshme të bëjë çmendurira ekonomike për të pasur në dispozicion shërbimet e Ibrahimovich. Por, ai që i jep një përgjigje të ardhmes së Suedezit, është menaxheri i tij, i cili deklaron se ndoshta lojtari mund të rikthehet tek Milani.
Për të parë nëse ky transferim do të mund të realizohet apo jo, duhet pritur muaji korrik. Ndërkohe që përveç Zlatan, Mino Raiola është dhe menaxher i një tjetër futbollisti shumë të kërkuar sikurse është Paul Pogba. Francezi, i cili falë formës së tij ka zgjuar interesin e shumë klubeve. Por, për këtë të fundit 48-vjeçari e ka gjithashtu një përgjigje, që ndoshta i jep pak siguri tifozëve te Juventusit. Sipas tij, Pogba do të qëndrojë në Torino. Gjithashtu ai flet dhe për Mario Balotelin një tjetër sulmues që menaxhohet nga e ana e Raiolas, për të cilin shprehet se nëse “SuperMario” do të kishte trurin e Zlatan, ndoshta Lionel Mesi do të kishte një “Top të Artë” më pak në karrierën e tij.

Artikulli paraprakItalia me dilema për Euro 2016
Artikulli tjetër“Topi i Artë”, Mesi-Ronaldo apo…?