Galiani paralajmëron

Vonesa e krijuar me fluturimin e skuadrës së Milanit drejt Katarit ka ndezur Superkupën e Italisë, pasi kuqezinjtë kanë kërcënuar se janë gati të bojkotojnë aktivitetin. Konfirmimi ka ardhur nga administratori i Përgjithshëm, Adriano Galiani, i cili në një deklaratë të dhënë për “ANSA”-n ka turfulluar kundër ligës së Serisë A që solli kaosin në udhëtimin e ekipit.
“Kemi pësuar një dëm të madh sportiv. Juventusi është që tani e qetë në të ngrohtë, nesër do të stërvitet me 20 gradë më shumë sesa janë në Milanelo, ndërsa ne do të arrijmë në darkë dhe do të mund të stërvitemi vetëm në vigjiljen e ndeshjes”, ishin fjalët e drejtuesit të Milanit. Sipas mediave italiane, klubi ka lajmëruar ligën, e cila organizon Superkupën, se nuk do të udhëtojë drejt Katarit nëse do të ketë vonesa apo ndryshime të tjera në planin për të shkuar në Doha.
Rrugëtimi i Milanit drejt Katarit ku do të luajë Superkupën e Italisë ndaj Juventusit nuk ka nisur ashtu siç duhet, ose më saktësisht, është shtyrë për sot. Ekipi italian duhej të udhëtonte dje drejt Dohas, por problemet me avionin kanë bërë që ky udhëtim të shtyhet dhe të shkurtojë në vetëm një ditë e gjysmë kohën e përgatitjes së skuadrës për ndeshjen në fjalë.
Sipas Ligës së Serisë A, që organizon aktivitetin, avioni çarter pritej të vinte nga Londra, por një problem teknik kishte shtyrë nisjen e tij drejt Italisë për të marrë kuqezinjtë. Duke llogaritur se kjo vonesë do të shtynte ndjeshëm edhe udhëtimin e skuadrës nga Milano, duke bërë që ajo të mbërrinte në mesnatë në Katar, është vendosur që ekipi të udhëtojë sot.
Montela kishte zhvilluar një seancë përgatitore gjatë ditës së djeshme duke provuar formacionin bazë për ndeshjen ndaj bardhezinjve, ku sipas të gjitha gjasave do të luajë nga minuta e parë Baka dhe jo Lapadula, ndërsa Bonaventura është preferuar para Niang.
Ndërkohë, Maruan Fellaini është pikasur dje në rrugët e Milanos dhe në mediat angleze janë të sigurt se kjo nuk është thjesht një vizitë turistike e futbollistit belg të Mançester Junajtid. Lojtari pritet të largohet nga “djajtë e kuq”, ku nuk gjen hapësira nën drejtimin e Zhoze Murinjos, me Interin dhe Milanin, të cilët janë vënë në ndjekje të tij dhe janë bërë gati të bëjnë oferta zyrtare për ta transferuar sapo të hapet merkato, pas dy javësh.
Në mediat angleze është spekuluar prej kohësh se lojtari është shumë pranë transferimit në Itali dhe ua ka konfirmuar edhe shokëve të tij të skuadrës aktuale. Milani dhe Interi, janë të dyja gati të paguajnë rrogat prej 120 mijë paund në javë të mesfushorit 29-vjeçar.

Artikulli paraprakRinovimi i Diego Costas, 62 milionë euro në 5 vjet
Artikulli tjetërArbitrazhi fal Realin, tërbohet Barça