Galliani dorëzohet, mbaron “Epoka”

Tani nuk ka më pikëpyetje. Epoka Galliani te Milani është në finish dhe këtë e konfirmon vetë drejtuesi më i lartë i klubit kuqezi në 3 dekadat e fundit. Në një intervistë për kanalin zyrtar të klubit kuqezi, administratori i deleguar zbulon disa detaje rreth të ardhmes së tij dhe të klubit që pritet të shitet në datën 2 dhjetor.
“Mendoj se jemi në tre javët e fundit të aventurës time te Milani. Nuk e kam aspak idenë se çfarë roli mund të mbuloj, prandaj nuk ka asnjë mundësi reale që unë të qëndroj. Ajo që kemi bërë së bashku mbetet sepse historia është më e rëndësishme se kronikat e ditës. Është një motiv shumë i madh krenarie kur mendoj se çfarë kemi fituar në këto 30 vjet”.
Në lidhje me këtë temë ka folur edhe ish-sulmuesi Andriy Shevchenko, i cili e falënderoi për gjithçka ka dhënë për këtë klub, por shtoi se Galliani është ende në gjendje të japë shumë për futbollin. Në fund, Galliani rrëfeu edhe një moment ineteresant që lidhet direkt me ish-sulmuesin ukrainas dhe finalen e Champions League të fituar në vitin 2003 ndaj Juventusit.
“Pas fitores me 11-metërsha u takova me një psikolog rastësisht dhe e pyeta: A është normale që 20 ditë pas finales kur rishikoj pamjet e ndeshjes ende kam frikë se Sheva do ta gabojë 11-metërshin? Ai m’u përgjigj: është një situatë e parikuperueshme”.
Në dhjetor Milani do të kalojë zyrtarisht në duart e kinezëve. Epoka e Silvio Berlusconit në krye të klubit kuqezi është drejt fundit. Pas një muaji te Milani do të nisë një tjetër epokë, ajo e kinezëve. Më 12 dhjetor, pritet që palët të nënshkruajnë marrëveshjen mes tyre, ku 99.93% e aksioneve do të kalojnë nga kompania Fininvest tek ajo e Sino-Europe Sport. Sipas disa informacioneve në shtëpinë e kuqezinjve është zhvilluar një mbledhje e aksionerëve, ku të pranishëm kanë qenë Barbara Berlusconi dhe Adriano Galiani.
Në takim të pranishmit, kanë diskutuar në lidhje me procedurat e fundit të kalimit të aksioneve. Mbledhjet e ardhshme do të jenë më 2 dhe 12 dhjetor. Në njërën prej këtyre dy datave me shumë gjasa do të bëhet publik dhe zyrtarizimi i kësaj marrëveshjeje. Tifozët e Milanit ndonëse të keqardhur për largimin e presidentit Berluskoni, po e presin me padurim përfundimin e bisedimeve, ku sigurisht kërkesa më e madhe është ndërhyrja në merkato, për ta rikthyer “Djallin” në lavdinë e viteve të dikurshme.

Artikulli paraprakApeli i Kaka!
Artikulli tjetërTe Interi kam investuar paratë e mia