Galliani i prekur!

I prekur dhe njëkohësisht shumë i emocionuar për suksesin e Milanit në Superkupën e Italisë ndaj Juventusit. Adriano Galliani, administratori i deleguar ishte ai që iu gëzua më shumë triumfit të Milanit dhe trofeut të 29-të dhe të fundit të fituar nga klubi kuqezi në epokën Berlusconi. Me largimin e presidentit legjendar sipas të gjitha gjasave Milanit do t’i japë lamtumirën edhe një njeri si Galliani që gjatë këtyre 3 dekadave ka punuar me mish e shpirt për t’i shndërruar kuqezinjtë në një nga klubet më të mëdhenj të botës. “Goli i Pasaliç më preku shumë emocionalisht, është gjithmonë bukur të fitosh, ia dedikojmë presidentit Berlusconi këtë sukses. Kjo është fitorja që do të mbetet gjithmonë në zemrën time, më shumë se gjithë të tjerat”, deklaroi fillimisht Galliani.
Më tej administratori i deleguar i Milanit nënvizoi: “Kemi arritur në kuotën e 29 trofeve, plus 16 vende të dyta, por kjo është një kënaqësi e jashtëzakoshme edhe për faktin se jemi rikthyer të fitojmë pas 5 vjetësh”. Galliani në fund përgëzoi gjithashtu skuadrën për paraqitjen në duelin e fituar pas goditjes së penalltive ndaj Juventusit. “I gjithë ekipi ishte i shkëlqyer, por Suso dhe Abate kanë bërë një ndeshje super. E nisëm pak të ndrojtur takimin, por zhvilluam një lojë fantastike sidomos në gjysmën e parë të pjesës së dytë. Në vitin 2016 kemi luajtur si të barabartë ndaj Juventusit, jemi në barazim 2-2 me ta”, theksoi Adriano Galliani.
Milani fiton Superkupën e 29-të të Italisë. Në Doha të Katarit kuqezinjtë mposhtën Juventusin pas goditjeje të 11-metërshave teksa koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1. Vendimtar gabimi i Paulo Dybalasë, që i dha mundësinë talentit Pasaliç të realizonte penalltinë fituese. Juventusi kaloi në avantazh që në minutën e 18 me Giorgio Chellinin, pas një këndoreje të ekzekutuar nga Pjaniç. 20 minuta më vonë kuqezinjtë barazuan me Bonaventurën që goditi saktë me kokë aty ku nuk mund të arrinte Buffon.
Gjatë pjesës dytë, pikërisht në të 57-ën Romagnoli ishte i pafat me topin e goditur prej tij që u ndal nga traversa. Në të 76-ën rast ideal për Paulo Dybala-në, që nuk u beson syve për mundësinë e humbur. Në të 83-ë Buffon nuk i jep kënaqësinë e golit Carlos Baccas me një pritje të jashtëzakonshme. Asgjë nuk ndryshoi në minutat e mbetura, madje as në kohën shtesë, ndaj fituesi i Superkupës së Italisë do të përcaktohej vetëm pas ekzekutimit të 11-metërshave.
Marchisio goditi saktë i pari për bardhezinjtë, ndërsa për Milanin gaboi Lapadula. Mandzukic nuk e shfrytëzoi avantazhin psikologjik, me topin e goditur prej tij që përfundoi në traversë.
Bonaventura kthehu baraspeshën në goditjen pasardhëse, ndërsa në seritë e radhës shënuan Higuain e Khedira për Juventusin, si dhe Kucka e Suso për Milanin. Në serinë e pestë Donaruma bëri mrekullinë përballë Dybala-së, duke i dhënë mundësinë të riut Pasaliç të realizonte penalltinë që do të vlente trofeun e Superkupës. Festë e lotë gëzimi në radhët e kuqezinjve, ndërsa trishtimi dallohej qartë në fytyrat e kampionëve në fuqi të Italisë, që nuk e kishin menduar këtë disfatë përballë një skuadre ndjeshëm më inferiore në cilësi me shumë të rinj në përbërje.

Artikulli paraprakBraziliani Oscar transferohet në Kinë
Artikulli tjetërAlegri: Milani nuk na mundi në fushë