Galliani në Spanjë për Musacchio

Adriano Galliani nis misionin për përforcimin e skuadrës. Administratori i Deleguar i Milanit ka udhëtuar drejt Spanjës me objektivin për të arritur akordin me Villarrealin për transferimin e qendërmbrojtësit Mateo Musacchio te kuqezinjtë. Bisedimet mes Milanit dhe drejtuesve të Nëndetëses së Verdhë ndodhen në një fazë të avancuar, megjithatë nevojiten të tjera kontakte që 25-vjeçari argjentinas të vendoset në dispozicion të trajnerit Vincenzo Montella. Për të bërë të mundur transferimin e Musacchios në “San Siro”, Galliani nuk dëshiron të shpenzojë më shumë se 20 milionë euro.
Kuqezinjtë e kanë arritur tashmë marrëveshjen me agjentin e mbrojtësit, por mbetet për t’u bindur përfundimisht edhe klubi i Villarrealit. Klauzola e largimit të Musacchios nga El Madrigal kap shifrën e 50 milionë eurove, por mesa duket edhe drejtuesit e Villarrealit kanë ulur disi pretendimet e tyre ekonomike. Dy lojtarë të tjerë që luajnë në La Liga dhe që pëlqehen nga Milani janë edhe mbrojtësi me origjinë shqiptare Shkodran Mustafi dhe spanjolli Alvaro Arbeloa. Përsa i përket mesfushorit Jose Sosa, Besiktasi nuk kërkon ta lërë të lirë edhe pse vetë lojtari ka deklaruar së dëshiron të largohet nga Turqia pasi i trembet ndonjë sulmi të mundshëm terrorist. Por te Milani po punojnë edhe përsa i përket merkatos në hyrje me Carlos Baccën që vazhdon të mbetet kandidati kryesor për t’u larguar nga kuqezinjtë.
Në listën e dëshirave të drejtuesit të Milanit është edhe mbrojtësi i Valencias, Shkodran Mustafi. Futbollisti shqiptar që luan për Gjermaninë është objektiv i merkatos së shumë klubeve të rëndësishme në Europë dhe kuqezinjtë janë gati të bëjnë edhe ata një ofertë te spanjollët për të siguruar firmën e qendërmbrojtësit.

Artikulli paraprakAnçeloti befason!
Artikulli tjetërTransporti ajror, BE: Ulni kostot për qytetarët