Atletiko Madrid prezantoi blerjen e tij më të fundit Kevin Gameiro, që nënshkroi një kontratë katërvjeçare me klubin madrilen. Ekipi nga “Vincente Calderon” nuk bëri të ditur detajet financiare të marrëveshjes me Sevillan për transferimin e tij nga “Ramon Sanchez Pizjuan”, me klubin andaluzian që dihet vetëm se ka marrë në formë huazimi argjentinasi Luciano Vietto për një sezon. 29-vjeçari, që ka shënuar 67 gola në 3 sezone për ekipin e Sevilla-s duke fituar dhe 3 herë Europa League u shfaq mjaft i lumtur për këtë transferim të tijin teksa premtoi se do të bëjë maksimumin që të fitojë titullin kampion në skuadrën e drejtuar nga Diego Simeone.
Gameiro, që konsiderohet dhe si blerja më e rëndësishme e Atleticos për këtë verë, te skuadra e tij e re do të luajë përkrah bashkëkombasit dhe Antoine Griezmann, por dhe spanjollit Fernando Torres. Impiakti i tij me tifozerinë ishte i menjëhershëm teksa qindra fansa të klubit rojiblanco ishin të pranishëm në prezantimin e sulmuesit të tyre të ri. Sezonin e kaluar, Atletico e Madridit arriti deri në finalen e Champions League, por humbi me penallti në “San Siro” përballë Realit.