Ganimete

Edison YPI

Maksi tha se nuk e dinte ku ishte ajo barraka e pisët ku pa u gdhirë e nesërmja e ditës së parë të internimit Ti dhe nëna jote varët vetet në një katund të Myzeqesë aty kah mesi i viteve ’60.
Xiko dinte diçka. Një shok ushtrie i kishte thënë se tmerri kishte ndodhur në Libofshë. Xiko shtoi se emri Yt, Ganimete Cuka, i kujtonte edhe diçka tjetër; Në ato vite, daja i tij, Adnan Ypi, kolonel i NATO-s në Gjermani që stërviste diversantë për t’i hedhur në Shqipëri, u dërgonte hera-herës ndonjë rrobë nga ato që, pa të njohur, mik pas miku, frik’ pas frike, Xikua të kishte dhënë Ty.
Një ushtri e tërë ish-të burgosurish të Spaçit, Burrelit, Bulqizës, Ballshit, të pa punë nga ata që pinë kafe të lira tek kolonat e Pallatit të Kulturës, më adresuan të gjithë në Myzeqe, por secili në fshatra të ndryshëm; Grabian, Çermë, Gjazë, Karbunarë, Libofshë, Zhamë, Seman, etj.
Burhani, i cili kishte dëgjuar, por nuk dinte gjë të saktë, më drejtoi tek Tori. Mirëpo legjenda e burgjeve, Tori, s’ka celular, s’ka asgjë.
Musai tironc, Ti tironce, e pamundur të mos e dijë Musai ku u vetvare Ti. Por as Musai s’dinte gjë të saktë.
Agimi thotë se ke qenë e dashuruar me një kolonel anglez. Disa oficerë të Sigurimit deshën, por s’mundën të të përdhunonin. Një ditë në atë barrakë të qelbët dhe atë fshat të mjerë vajte bleve një litar. E ndave litarin më dysh me sëpatë. Skajin e njërës gjysëm ia lidhe në qafë nënës, skajin tjetër vetes, pastaj ia rrëzove stolin nën këmbë nënës. Sipas Agimit fshati i gjëmës tënde është Grabiani.
Por Agimin e kundërshton Besimi. Besimi më adreson, o në Ndërnënas, Gjazë, Karbunarë, o diku atje rrotull. Tepër aproksimativ Besimi, i cili shton se këtë mesele e di më mirë Leka ose Tomorri. Mirëpo Leka ka vdekur dhe Tomorri s’dihet ku është.
Tjetër legjendë burgjesh, Qaniu. Qaniu celular ka, por nuk e përdor.
Kastrioti thotë se gjurmët e Tua duhet t’i kërkoj në Ministrinë e Brendshme. S’e ka keq Kastrioti. Por Ty dhe burokratët e ministrive nuk do t’i mpleks kurrë deri sa të vdes.
Donika. Ajo që përndjekjen e ka më të ngatërruar se ngatërrimi, duhet të dijë ndonjë gjë. Po. Donika thotë se të ka njohur. Ka qenë një herë në shtëpinë Tënde për të qepur diçka për çupën e vogël. Mban mend nga ajo vizitë e shkurtër klasin Tënd, sjelljen Tënde aristokratike, por asgjë më tepër.
E pamundur të mos dijë për Ty Meti për të cilin thonë se të ka pasur të dashur. Meti të kujton me respekt të thellë. Me lot në sy, Meti kujton sjelljen Tënde fine, dijet e Tua, hiret e Tua, elegancën Tënde. Por mjerisht as Meti nuk e di fshatin e mënxyrës, e le më barrakën.
Enciklopedia e skutave, Doriani, më mbyt me informata të turbullta.
Serioz, nervoz, pretencioz, ultimativ, Urani i stërvuajtur dhe stërpërndjekur, interesimin tim e quan të kotë dhe Ty thjesht kurvë.
Do iki vet’ fshat më fshat.
Nga t’ia nis ?!
Do t’ia nis nga Manastiri i Ardenicës, pra nga ku Zoti sheh gjithçka.
Nga Manastiri i famshëm me varre nën të, kumbanare përmbi, po zbres drejt Manastirit Tënd të panjohur dhe të përmbysur me varre përmbi, kumbanare nën të.
Në Libofshë, ku askush nuk di gjë për Ty, më drejtojnë në një fshat tjetër që quhet Ndërmënas.
Në Ndërmënas më tregojnë për një plak të moçëm, i cili kur ka qenë i ri ka bërë apelin e të internuarve, pra ka qenë spiun. Spiunët dinë. Por spiuni po fle.
Një tjetër i moçëm, jo spiun, mbi 80 vjeç, nuk po fle, por ndodhet larg duke kullotur dhentë në derdhje të Semanit. Vete dhe e pyes. Krruan e krruan kokën, por në hatër s’i vjen asgjë.
Duhet të kthehem. Nga Ndërmënasi në veri të derdhjes së Semanit, në Ndërnënas në jug të po asaj derdhjeje.
Dikush rrugës të cilit i thashë se po të kërkoj Ty, më tha “je i rrjedhur”.
Një tjetër pak më tutje më tha “je i pjerdhur”.
Edhe më tutje një i tretë më tha “je i lojtur”.
M’u në mes të fushës një i katërt as më shau as më ngau, më shiti një sharqi të kalbur.
Në fshatrat e internimeve në dalje të Fierit në drejtim të detit, askush nuk di për Ty.
Në Ndërnënas takoj një kosovar mitrovicali. Thotë se babain ja vrau kurvi kur babai ishte 23 vjeç, pastaj e internuan këtu kur vet ai ishte 3 vjeç.
Edhe mitrovicaliu për Ty s’di asgjë. Megjithatë, pasi mendohet pak, thotë se disa kilometra më tutje ka qenë një fshat të internuarish imoralë, ndoshta atje.
Në fshatin e “imoralëve” të internuar një tufë pleqsh më ftojnë për kafe. Rretheqark toka të pafundme të pa punuara, sepse të kripura. Flasin për projekte madhështore me fusha plot me mullinj ere që do prodhojnë energji elektrike dhe do begatojnë zonën dhe Shqipërinë. Derisa të begatohet zona, fshati është plot me plehra dhe vjetërsira nga koha e traktorëve të lavdishëm me buçima që çanin arat e kripura. Për ato kripëra e ato helme, ato kasolle e ato derte, ata njerëz e ato halle, poeti Pano Taçi shkruajti poemën madhështore “Balada e Pordhës”. Në barrakat e imoralëve të dikurshëm sot gjallojnë evgjitë qeflinj. Plot pleq të moralshëm të fshatit të “imoralëve” betohen me kryet nga Manastiri se për Ty nuk dinë asgjë.
Nga t’ja mbaj ?!
Ja ther për në Grabian.
Rrugës ndal dhe pyes. Nuk dinë asgjë.
Barinj të vegjël nuk mbajnë më në brez pagure, por shishe plastike. Djem të rinj mbi motorra gjarpërojnë fushave, duke lënë pas shtëllunga pluhuri që ngrihen lart si nëpërka të harbuara. Emigrantë me të fejuara. Mesoburra që u përgjigjen pyetjeve me pyetje. Vetëm ose dy nga dy të zëna përdore, vajza të krehura bukur shëtisin ngadalë në muzg. Zonjë e moshuar me lot në sy kujton tmerret e së kaluarës dhe ankohet për të tashmen. Thotë se më besnikët dhe më të zellshmit e diktaturës janë ata që sot kanë ngritur vilat më të mëdha. Fermerë të zellshëm llërëpërveshur ankohen për shtetin që nuk vendos rregulla dhe për tregtarët që vinë ua marrin prodhimet badihava. Diku afër Rrogozhinës rrëkëlleva një Coca Cola me çmim Londre.
Në Grabian gjithë fshati po pi kafe. Pleq pensionistë fukarenj që lozin domino mbi trotuare frikësohen mos i fotografoj. Si kudo edhe këtu asnjë femër. Dikush lavazhin e ka pagëzuar “Hashish”. Një plak i kërrusur thotë se ka qenë sekretar partie për dhjetëra vite, nuk ka asnjë interes të gënjejë në këtë moshë, të internuarit i ka dashur shumë, me ta ka pirë kafe ka qarë hallet etj. dhe bën be’ se për Ty dhe nënën tënde nuk di gjë.
Të tjerë pleq thonë të njëjtën gjë.
Nga Rrogozhina në Roskovec, nga Semani në Karbunarë, kryq e tërthor e rrethepërqark i pyeta një për një, për Ty s’dinë asgjë.
E fundit që bëra ishte kjo;
Vajta përsëri në Manastir, ku Zoti sheh dhe di gjithçka.
O Zot i thashë, Ti që varret i ke nën, a di gjë për Atë që varret i ka mbi?
Nuk u përgjigj. Nuk dinte gjë.
Nga maja e Manastirit ndryshova dritën e botës.
E bëra botën të kuqe. S’pashë asgjë.
E bëra të bardhë, të verdhë, gri, të zezë. Asgjë, asgjë, asgjë, asgjë.
Lëshova mbi botë rrebesh, shi’, rrufe’. Asnjë vetëtimë nga Ty.
E mbyta Myzeqenë e bëra det. Asgjëkund direk varke, barrakë, litar, varr.
Ganimete,
Mjerë Ti që të vranë të re’. Lum’ unë që të kërkoj duke u rrënqethur, që të dua kur ke vdekur.

Exit mobile version