Gara e parë për hapësirën, vuri përballë njera tjetërës Shtetet e Bashkuara dhe atë që njihej atëhere si Bashkimi Sovjetik, se kush do të bënte udhëtimin e parë në hapësirë. Gara Hapësinore e Shekullit 21 është një përpjekje globale për të dërguar njeriun në Mars.
Zërit të Amerikës i hedh një vështrim planeve të agjencive hapësinore për të hulumtuar Planetin e Kuq në vitin 2020. Gjysmë shekulli pas uljes në Hënë, banorët e tokës po planifikojnë rrugën e re në Garën Moderne të Hapësirës.
“Ne kemi në plan të bëjmë eksplorimin e parë të Marsit rreth vitit 2020”, thotë Wu Yanhua nga Administrata Kombëtare e Hapësirës në Kinë.
Agjencitë hapësinore në vitin 2020 planifikojnë të dërgojnë robotë eksperimentalë që duhet të udhëtojnë rreth një çerek miliardë kilometra në hapësirë për të studiuar Marsin përpara udhëtimit me njerëz në bord.
NASA po planifikon një mision në korrik për të studiuar një shtrat lumi në Mars, që dikur kishte ujë, në kërkim të shenjave të jetës në formë mikrobesh të lashta të fosilizuara, përpara se të sjellin gurët në Tokë në vitet 2030.
Planet e Kinës për vitin 2020 janë dërgimi i një sonde në Mars dhe një sonde tjetër në orbitën e Marsit.
“Plani ynë është të përfundojmë fluturimin rreth Marsit, uljen e një sonde dhe eksplorimin në një udhëtim, ashtu siç bëmë me misionin tonë në Hënë”, thotë Wu Yanhua nga Administrata Kombëtare e Hapësirës në Kinë.
Kjo zonë testimi pranë Pekinit simulon uljen e një sonde në Mars, ku forca e gravitetit është sa një e treta e asaj në Tokë.
Agjencia Evropiane e Hapësirës dhe ajo ruse Roscosmos, kanë bashkuar forcat për një mision të quajtur ExoMars. Roboti i tyre është pajisur me një mjet shpimi për të studiuar thellësitë e Marsit. Ekipi është në garë për të qënë gati për inspektimin përfundimtar në prill.
“Nëse do ta kalojmë me sukses inspektimin, atëherë do të marrim autorizimin për të dërguar sondën në Baikonur (Kazakistan) për një nisje brenda periudhës 26 korrik dhe 11 gusht.
Nëse nuk e arrijmë këtë afat, atëherë misioni ynë mund të shtyhet për më shumë se dy vjet. Mund ta imagjinoni se sa të mobilizuar jemi për të zgjidhur problemet e fundit, me të cilat po përballemi”, tha Francois Spoto, anëtar i Misionit ExoMars nga Agjencia Evropiane e Hapësirës.
Një ulje e suksesshme në 2021 do të ishte e para për Agjencinë Evropiane të Hapësirës, pas një dështimi në vitin 2016.
Emiratet e Bashkuara Arabe synojnë të dërgojë sondën e parë në korrik. E quajtur Misioni i Shpresës, ajo do të jetë sonda e parë arabe dhe islamike që do të arrinte në orbitën e Marsit.
“Ajo do të studiojë atmosferën e poshtme, të mesme dhe të sipërme të Marsit, dhe do të përpiqet të kuptojë se si rrjedhin gazrat nga Marsi”, thotë Sheikha Al Maskari nga Agjencia Hapësinore e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Në sipërfaqen e Marsit aktualisht ndodhen dy sonda funksionuese dhe gjashtë satelitë. Deri më tani, vetëm Shtetet e Bashkuara kanë arritur të zbarkojnë me sukses në Mars dhe po operojnë një sondë që ndodhet atje.