Partia Demokratike shprehet se zgjedhjet për postin e kryetarit të PD janë të hapura për çdo anëtar të PD-së. Me një deklaratë të nënshkruar nga dy nënkryetarët, Edi Paloka dhe Edmond Spaho shprehen se diskutimet duhet të zhvillohen në mënyrë reflektive, të qytetëruar dhe etike, duke respektuar të drejtën dhe dinjitetin e gjithkujt, përmes frymës së bashkimit dhe gjithpërfshirjes dhe jo përçarjes e përjashtimit.
“Zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike janë të hapura dhe çdo anëtar i Partisë Demokratike ka të drejtë të kandidojë. Kjo garë do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme për reflektim, diskutim idesh dhe konkurrencë vizionesh për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe demokracisë në vend.
Mendimi ndryshe, debati dhe përplasja e ideve janë vlera themelore të Partisë Demokratike. Por diskutimet duhet të zhvillohen në mënyrë reflektive, të qytetëruar dhe etike duke respektuar të drejtën dhe dinjitetin e gjithkujt, përmes frymës së bashkimit dhe gjithpërfshirjes dhe jo përçarjes e përjashtimit.
Ndryshimet në qëndrime dhe në mendime në Partinë Demokratike zgjidhen vetëm përmes konkurrencës së kandidatëve dhe vendimmarrjes së anëtarëve”, thuhet në deklaratën e dy nënkryetarëve të PD.
Në lidhje me çdo pretendim, Statuti i Partisë Demokratike përcakton: Neni 43, pika I dhe 2 nënkryetarët e partisë:
1. PDSH ka dy nënkryetarë, të cilët zgjidhen sipas përcaktimeve të Nenit 37 të Statutit. 2. Në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi (dorëheqje, etj.) sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon nënkryetarin që do të drejtojë partinë deri në vendimin përfundimtar të Kuvendit Kombëtar.
Neni 58, Afati i Zgjedhjeve: Të gjitha organet e partisë duhet t’u nënshtrohen zgjedhjeve të paktën çdo katër vjet.
Kryetari i partisë, z. Lulzim Basha ka autorizuar publikisht delegimin e të gjithë vendimmarrjes organizative tek dy nënkryetarët e PDSH dhe sekretari i Përgjithshëm.
Zgjedhjet e fundit për kryetarin e partisë janë zhvilluar më 22 korrik 2013. Vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve respekton këtë afat fundor për kryerjen e zgjedhjeve të radhës më 22 korrik 2017.
Gara dhe votimi për kryetarin e PDSH do të zhvillohen në mënyrë të hapur, të ndershme dhe të barabartë.
Nga ky proces, Partia Demokratike do të dalë më e fortë dhe më demokratike për t’i paraprirë ndryshimeve të mëdha që ka nevojë vendi.