Gara për rrëmbyer “trurin” e botës, cila vende janë “gjahtarët” më të rrezikshëm të gjenive?!

 Nga Murat Yülek

 

 

Vendet në mbarë botën, i kanë intensifikuar vitet e fundit përpjekjet e tyre për të tërhequr njerëzit më të aftë dhe të talentuar. Nga Gjermania në Singapor, qeveritë po zbatojnë politika për të tërhequr talentet e huaja për të nxitur rritjen ekonomike, inovacionin dhe mbushur boshllëqet e në tregun e tyre të punës.

Kjo garë globale për më të talentuarit, nuk ka të bëjë vetëm me konkurrimin për sigurimin e shërbimit nga mendjet më të ndritura, por edhe me sigurimin e së ardhmes së kombeve në një botë gjithnjë e më konkurruese dhe të ndërlidhur.

Singapori: Magneti i talenteve

Singapori, ka qenë prej kohësh një lojtar kyç në garën e tërheqjes së talenteve në Azi. Politika e dyerve të hapura e këtij vendi ndaj punëtorëve të kualifikuar, e ka ndihmuar atë të bëhet një nga ekonomitë më dinamike në botë. Duke tërhequr më të talentuarit nga e gjithë bota, Singapori ka zhvilluar një fuqi punëtore shumë të aftë, ka ushqyer sektorët e saj financiarë dhe teknologjikë shumë të lulëzuar, duke arritur ta ruajë pozicionin e saj si një qendër kryesore globale për biznesin dhe inovacionin.

Politikat e Singaporit, janë të projektuara me kujdes për të tërhequr talentet e nivelit të lartë duke balancuar nevojat lokale. Për shembull sistemi i tij i lejes së punësimit, i lejon profesionistët e huaj në fusha të specializuara të jetojnë dhe punojnë në vend, duke siguruar që ekonomia e Singaporit të mbetet konkurruese.

Përqendrimi i qytetit-shtet në ndërtimin e një grupi global talentesh, është i rrënjosur në botëkuptimin se asnjë vend nuk mund të arrijë rritje të qëndrueshme, pa u mbështetur tek mendjet më të zgjuara nga e gjithë bota. Por strategjia e Singaporit, pasqyron një prirje më të gjerë, në të cilën kombet e vogla dhe të mëdha po e pranojnë se më të talentuarit nga e gjithë bota, janë një përbërës jetik në suksesin e tyre ekonomik.

Në një botë ku zhvendosja e teknologjive dhe globalizimi po i riformësojnë industritë, të qenit në gjendje të futesh në grupin global të talenteve, nuk është më një zgjedhje por është një domosdoshmëri.

Si po e siguron Gjermania të ardhmen e saj

Për politikat më të fundit, merrni rastin e Gjermaninë, ku rënia e popullsisë është një shqetësim në rritje. Vendi përballet me një popullsi të plakur, me më pak punëtorë të rinj për të përmbushur role kritike në industri të tilla si inxhinieria, IT dhe kujdesi shëndetësor.

Për ta adresuar këtë sfidë, Gjermania po zbaton rregullore të reja që i lejojnë studentët e huaj të qëndrojnë për të paktën edhe 3 vjet pas diplomimit. Këto rregullore, synojnë të ndihmojnë në ruajtjen e talenteve që arsimohen brenda vendit, duke siguruar që punëtorët e kualifikuar të mbeten dhe të kontribuojnë në ekonominë gjermane.

Qasja e Gjermanisë, është sa pragmatike aq dhe e menduar në perspektivë. Sepse ky vend po e kupton se një fuqi punëtore në tkurrje, do të thotë më pak njerëz që kontribuojnë në sistemet e sigurimeve shoqërore, më pak taksapagues por edhe më pak novatorë. Ndaj duke hapur dyert e saj për punëtorët e kualifikuar nga jashtë, Gjermania synon të ruajë pozitën e saj ekonomike globale.

Po ashtu, ajo po e trajton nevojën për ekspertizë në sektorë, ku mungojnë talentet vendase, duke forcuar kështu avantazhin e tij konkurrues në industritë që janë vendimtare për zhvillimin e saj në të ardhmen.

SHBA-ja po ndryshon qasjen ndaj migracionit

Në anën tjetër të Atlantikut, SHBA-ja po përjeton një ndryshim befasues në politikën e migracionit. Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump ka njoftuar një ndryshim dramatik të qëndrimit të tij mbi këtë dukuri. I njohur për retorikën e tij të ashpër kundër emigrantëve gjatë mandatit të tij të mëparshëm, Trump ka njoftuar se do të punojë me manjatin e teknologjisë Elon Musk për t’u ofruar viza pune studentëve të huaj.

Ky njoftim, shënon një kthesë dramatike nga qëndrimi i tij i mëparshëm, duke sinjalizuar një qasje të re për tërheqjen e fuqisë punëtore të kualifikuar në SHBA. Kjo lëvizje është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë, për të siguruar që SHBA të mbetet në ballë të inovacionit teknologjik dhe rritjes ekonomike.

Teksa Silicon Valley dhe qendrat e tjera të teknologjisë, po lulëzojnë falë kapitalit intelektual të talenteve të lindur jashtë SHBA, ofrimi i vizave të punës për studentët e huaj, është një mënyrë strategjike për të ruajtur pozicionin e vendit si një lider global në teknologji dhe inovacion.

Kjo masë i kundërpërgjigjet konkurrencës globale në rritje për punëtorët e kualifikuar, pasi  vende si Kanadaja, Gjermania dhe Australia, tashmë kanë politika tërheqëse ndaj emigrantëve. Pasojat e këtij ndryshimi politikash mund të jenë të gjera. Nëse kjo çon në një sistem më të hapur migrimi për punëtorët e kualifikuar, mund ta ndryshojë tendencën e largimit të individëve të talentuar nga SHBA-ja drejt vendeve të tjera.

Me politikat e duhura, SHBA mund të përfitojë nga një fluks i ri i punëtorëve shumë të kualifikuar, të mund të ndihmojnë në nxitjen e rritjes ekonomike dhe përparimit teknologjik. Megjithatë, ky drejtim i ri do të përballet pa dyshim me debate të forta politike dhe publike, sidomos duke pasur parasysh natyrën përçarëse të debateve mbi migracionin.

Gara globale për talente

Kërkimi i madh për fuqi punëtore të kualifikuar nuk është një prirje kalimtare, por më tepër një kundërpërgjigje ndaj disa sfidave urgjente, me të cilat përballen ekonomitë në mbarë botën. Së pari dhe më kryesorja, është plakja e popullsisë në shumë vende të zhvilluara.

Me rënien e nivelit të lindjeve dhe rritjen e jetëgjatësisë, shumë vende po përjetojnë një rënie të popullsisë në moshë pune. Ky ndryshim demografik, krijon një mungesë të fuqisë punëtore, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen ekonomike dhe produktivitetin.

Për t’iu kundërvënë këtij fenomeni, vendet duhet të tërheqin punëtorë të kualifikuar, të cilët mund të kontribuojnë në ekonomitë e tyre dhe të ndihmojnë në financimin e shërbimeve sociale për një popullsi të plakur. Për më tepër, ritmi i përshpejtuar i ndryshimeve teknologjike, krijon industri të reja dhe prish ato ekzistuese.

Njohuritë dhe ekspertiza e specializuar, janë të nevojshme më shumë se kurrë më parë, nga inteligjenca artificiale tek energjia e rinovueshme. Vendet që nuk arrijnë të kultivojnë një fuqi punëtore të kualifikuar do të mbeten prapa në garën globale për inovacion.

Për pasojë, kombet po synojnë të tërheqin dhe mbajnë talentet, që mund të çojnë përpara përparimet teknologjike dhe të sigurojnë rritje ekonomike afatgjatë. Një fakt tjetër, është se globalizimi ka rritur lëvizshmërinë e punëtorëve. Individët e talentuar nuk janë më të kufizuar në vendet e tyre të origjinës, por kanë mundësinë të punojnë në pjesë të ndryshme të botës.

Rrjedhimisht, vendet po konkurrojnë jo vetëm për të tërhequr këta individë, por edhe për të siguruar që ata të qëndrojnë atje. Këtu bëhen vendimtare politikat që ofrojnë shtigje drejt qëndrimit të përhershëm dhe shtetësisë, si ato të shpallura së fundmi nga Gjermania dhe SHBA-ja.

Vendet duhet t’i bëjnë shumë tërheqëse mjediset e tyre, për të ruajtur talentet për të cilët kanë punuar aq shumë që t’i rekrutonin. Së fundi, ka një vetëdije në rritje se diversiteti nxit inovacionin. Bashkimi i individëve me prejardhje të ndryshme kulturore dhe arsimore nxit kreativitetin, perspektivat e reja dhe qasjet e zgjidhjes së problemeve, të cilat mund të çojnë drejt inovacioneve të reja.

Ndërsa vendet po përpiqen të ruajnë një avantazh konkurrues, tërheqja e talenteve globale është bërë jo vetëm një domosdoshmëri ekonomike, por edhe një çështje e sigurimit të gjallërisë kulturore dhe intelektuale që çon drejt suksesit në shekullin XXI-të.

Ndërsa kombet po i përshkallëzojnë përpjekjet e tyre për të tërhequr punëtorë të kualifikuar, është e qartë se gara globale për talentet vetëm sa do të bëhet më e fortë. Vende si Gjermania, SHBA dhe Singapori janë në krye, duke e pranuar se talenti është guri i themelit i rritjes ekonomike, inovacionit teknologjik dhe zhvillimit afatgjatë.

Ndërsa ndryshon demografia dhe evoluojnë industritë, aftësia për të tërhequr dhe mbajtur fuqinë punëtore të kualifikuar, do të jetë një faktor kritik në përcaktimin se cilat vende do të lulëzojnë në dekadat e ardhshme. Për individët me aftësitë dhe ekspertizën e duhur, bota nuk ka qenë kurrë një vend më i hapur për të gjetur mundësi, ndërsa për kombet, grupi i të talentuarve globalë nuk ka qenë kurrë një burim më i vlefshëm se sa sot./Përshtatur nga “Daily Sabah”

*Shënim:Murat Yülek, ish-ekonomist i FMN-së, lektor në universitetet Georgetown dhe Columbia në SHBA.

Artikulli paraprakShënime nga ‘Shtëpia e të vdekurve”
Artikulli tjetërI përjashtuar pa “ceremoni” nga partia dhe me 4 akuza mbi shpinë, a po e kërcënon Veliaj SPAK-un me flamurin e PS-së?