Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias sjell mendimin e votuesve amerikanë lidhur me garën për mbledhjen e fondeve.
Kandidati i pritshëm republikan për president, Donald Trump, ka shprehur bindjen se fushata e tij do të jetë në gjendje të grumbullojë deri 33 milionë dollarë gjatë një darke më 6 prill në Palm Beach të Floridës. Deri më tani, fushata e demokratit Joe Biden ka mbledhur një shumë rekord fondesh, duke e lënë pas kundërshtarin republikan.
Të enjten e kaluar, i rrethuar nga ish presidentët demokratë Barack Obama dhe Bill Klinton, fushata e zotit Biden mblodhi 26 milionë dollarë gjatë një takimi në “Radio City Music Hall” në qytetin e Nju Jorkut.
Zëri i Amerikës mori mendimin e disa votuesve ditën e Pashkëve lidhur me përpjekjet e kandidatëve për mbledhjen e fondeve.
“Paratë nevojiten për reklamat dhe udhëtimet e punonjësve të fushatës. Nuk e kam të qartë se kush i kontrollon se ku shkojnë paratë”, thotë Billi, votues amerikan.
Jackson Tinker është banor i kryeqytetit.
“Shumë para janë derdhur në zgjedhjet tona nga të dyja palët. Mendoj se duhet ta kufizojmë sasinë e shpenzimeve për zgjedhjet.”
Mesazhet dhe strategjitë e kandidatëve duhet të përmirësohen, thotë studentja amerikane Dana Bogs.
“Nuk më intereson mënyra se si dikush e drejton fushatën. Për mua veprimet janë më të rëndësishme se çdo fushatë”.
Ndërsa vizitoi qytetin e Nju Jorkut javën e kaluar, zoti Trump u përqendrua tek rëndësia e luftës kundër krimit. Gjatë ditëve në vijim ai do të zhvillojë tubime në Miçigan dhe Uiskonsin.
Presidenti Biden tha për shtypin se këtë javë do të vizitojë Baltimorën, ndërsa vëmendja e tij është zhvendosur në shtetin e Merilendit pas shembjes së një ure të rëndësishme nga përplasja e një anije mallrash.
Guvernatori i Merilendit, Wes Moore, tha të djelën për rrjetin CNN se shembja e urës ishte një ‘katastrofë ekonomike kombëtare’, pasi mund të ndikojë tek zinxhirët e furnizimit.
“Arsyeja pse është e nevojshme për një vendim dypartiak dhe të shpejtë është se duhet të sigurohemi që ekonomia amerikane të mos ndikohet. Porti i Baltimorës ka një rol thelbësor në rritjen ekonomike të vendit.”
Administrata e Presidentit Biden miratoi 60 milionë dollarë ndihma të menjëhershme pas shembjes së urës. Një pjesë e madhe e kostos së rindërtimit pritet gjithashtu të financohet nga qeveria federale./VOA