Garancia e shtetit të së drejtës jetësohet kur shteti vetë drejtohet nga kultura e ligjit

Nga Afrim Krasniqi

Spaç 2025. Lajm kryesor në mediat sociale. Siç ndodh pothuajse me gjithçka, një dakordësi gojore e shefit të qeverisë (alias ministri/administratë) që nuk kanë qenë kurrë as vizitor në Spaç) ka qenë e mjaftueshme për Institutin e Monumenteve të Kulturës, ministrinë përkatëse dhe autoritetet e tjera, për të nisur punimet. Me llaç dhe beton. Dhe ne jemi ekspertë/mjeshtër të betonit!

Ka zemërim, ka reagime, ka nisma për peticione, ka ftesa për protesta, etj, etj. Jam dakord, demokracia ofron disa forma reagimi qytetar dhe secili zgjedh atë që mendon. Por mendoj se Shqipëria e vitit 2025 duhet të ketë së paku minimumin e sjelljes institucionale shtetërore. Dhe opsionet janë disa (ende) të pa konsumuara.

I. Ministria e Kulturës / autoriteti përgjegjës duhet të pezullojë punimet dhe të kryejë hetim administrativ, të sigurojë transparencë dhe konsultim me grupet e përfshira.
II. Organet e drejtësisë, prokuroria e juridiksionit të përgjithshëm, duhet të niste hetimin për procedurën joligjore të ndjekur.
III. Kuvendi (ku nuk kemi ende asnjë ish të burgosur politik) përmes komisionit përgjegjës duhet të organizonte interpelancë urgjente ose të bënte vizitë pune në Spaç për të parë nga afër rastin.
IV. Autoriteti I Dosjeve që sapo prezantoi një projekt për Spaçin duhej të adresonte shqetësimin në rrugë zyrtare tek të gjitha hallkat shtetërore.
V. Një grup interesi duhet të depozitonte në gjykatë kërkesë për sigurim padie, pezullimin e menjëhershëm të punimeve deri në një vendim shterues.
VI. Institucione që mbrojnë të drejtat e njeriut, duhet të ishin zëri publik sensibilizues dhe mbështetës
VII. Autoritetet lokale vendore duhet të ishin aty përmes reagimit institucional, mbledhjes së këshillit bashkiak, reagimit dhe masave administrative.
VIII. Media duhet të ishte live nga Spaç për të ndjekur ngjarjen deri në zgjidhje ligjore dhe institucionale të plotë.

Nuk ka ndodhur as njëra, as tjetra. As tani me skenarin me beton për filma dhe as kur u dhanë licenca TEC për kompani të huaj. Në Shqipëri ende mendohet se gjërat zgjidhen përmes facebook dhe rrjeteve sociale, protestave dhe lobimit. Shteti nuk “sheh as dëgjon as kupton”, institucionet ndjehen komode me pasivitetin e tyre, interesat e individëve të caktuar janë mbi ligjin dhe ekzistojnë disa lexime për të drejtën: “të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerët” shkruante Orwell. Ne jemi ende aty.

Nuk ka dyshim se memoria, kujtesa dhe integriteti i një shoqërie vlen më shumë se një projekt privat apo qokë politike / financiare. Burgu në Spaç simbolizon regjimin kriminal të djeshëm, betoni në Spaç simbolizon arrogancën korruptive të sotme.

Unë besoj tek reagimi qytetar, por qytetarët nuk mund të zëvendësojnë gjithnjë rolin e shtetit. Qytetarët veprojnë me ndërgjegje, kurse zyrtarët janë të detyruar me ligj të jenë llogaridhënës. Mjaftojnë ngjarje të tilla si kjo e Spaç apo tragjeditë periodike në Bulqizë që të kuptojmë hendekun e thellë midis retorikës për shtet dhe realitetit, shtetit “malit, që s’bzan” siç thoshte Migjeni.

Mesazhi? Garancia e shtetit të së drejtës jetësohet kur shteti vetë drejtohet nga kultura e ligjit, njeh, respekton e garanton të drejtat. Demokracia funksionale jetësohet kur shqetësimi, zërat kritikë dhe kërkesat adresohen, dëgjohen, respektohen, trajtohen dhe zgjidhen në mënyrë transparente përmes institucioneve dhe në frymën e ligjit/Kushtetutës.

Exit mobile version