Garancitë statutore e gara e barabartë nuk janë pazar

Insinuata aspak të denja dhe të pista janë hedhur në tregun mediatit nga Astrit Patozi në lidhje me negociatat me sekretarin e Përgjithshëm të PD, Ristani për dialogun mbi gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi për kushtet e barabarta të garës në PD në respekt të Statusit të partisë. Pasi nuk ka mundur të arrihet gjuha e përbashkët, Patozi i ka konsideruar këto negociata të Ristanit si ofertë për pazar nga Basha. E turpshme kur hidhen në tregun mediatik dhe kundërshtohen si të rreme nga pala tjetër.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani ka hedhur poshtë deklaratat e Astrit Patozit, i cili tha në emisionin “Top Story” se Basha i ofroi “pazar” që ai të mos e sfidojë.
Ristani shkruan se ndjen keqardhje që “negociimi” për garanci statutore dhe kushte të barabarta gare në PD konsiderohet si pazar.

Reagimi i Ristanit

Në përmbushje të detyrave të mia si sekretar i Përgjithshëm i PD dhe në interesin e saj më të mirë, kam bërë përpjekje që gara për kryetar të PD të ofrojë garanci statutore, gjithpërfshirje dhe të jetë një proces bashkimi për partinë ashtu sikurse një proces emancipimi për të gjithë shoqërinë!
Keqardhje që “negociimi” për garanci statutore dhe kushte të barabarta gare konsiderohet si pazar. Pazari nuk ka qenë dhe nuk është pjesë e moralit tim ashtu sikurse i kulturës politike të PD.

Reagimi i Patozit

Astrit Patozi u është përgjigjur kritikëve të tij, në veçanti edhe sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani. Me një status në faqen e tij në Facebook, Patozi shkruan se i mirëkupton sharësit me dhe pa pagesë.
Ja çfarë shkruan ai në Facebook:
Kam mirëkuptim për të gjithë ata kolegë, ish-kolegë, miq, ish-miq dhe asnjëherë takuar, që po përdorin kandidimin tim si shkas për t’i qëndruar afër kryetarit të vetëngrirë. Dilini në krah në këto momente të vështira, pasi duhet të mos ndjehet vetëm në dëmin, që i ka bërë PD. Lehtësojani sadopak ndërgjegjen duke marrë përsipër një pjesë të mëkatit të tij.
Vazhdoni e bëjeni dhe kini mirëkuptimin dhe nënvlerësimin tim.
Tek kjo “amnisti” nuk përfshihen sharësit me pagesë të kompanisë së posaçme call center, ndonëse qëllimi mund të jetë i njëjtë.
Por një këshillë e kam: thoni ç’të doni kundër meje, vetëm ju lutem bëni kujdes mos përplaseni me njëri-tjetrin, kur të prisni në paradhomë, pasi të keni kaluar skanerin e kunatit. Mes jush, që e bëni vullnetarisht dhe mercenarëve, që e bëjnë me lekë, juve më dhembseni më shumë.
Suksese të gjithëve!

Artikulli paraprakBerisha kandidat për portierin e vitit
Artikulli tjetërSi do të votohet për Kryetarin e PD?