Brooke Harrington
Pritzker është një prej familjeve më të pasura të Shteteve të Bashkuara. Kanë një pasuri të vlerësuar në 15 miliardë dollarë, të shpërndarë midis 60 shoqërive dhe 2500 fondeve fiduçare nëpërmjet një tërësie mekanizmash dhe strategjish që revista “Forbes”, tradicionalisht e afërt me elitën e miliarderëve, me një ton të pazakontë pështirosjeje etike, i ka quajtur “të paqarta, të konceptuara për të shkurajuar çdo lloj investigimi dhe shfrytëzuar në mënyrë gjeniale të gjitha rrugët e shpëtimit nga fisku”. Kjo strukturë pasurore komplekse nuk është krijuar nga familja Pritzker, por nga një shpurë avokatësh, komercialistësh, fiskalistësh dhe konsulentësh financiarë. Nga kjo pikëpamje, Pritzker nuk është e ndryshme nga dhjetëra mijëra familje të pasura që në të gjithë botën u besojnë wealth manager, menaxhuesve të pasurive të mëdha. Këta profesionistë nuk kufizohen në heqjen e pasurive fiskut. Siç lexohet në një studim akademik të kohëve të fundit, “fshehin koncentrimet e pushtetit ekonomik” duke përdorur instrumente që e bëjnë të vështirë, në mos të pamundur, të shkohet tek zotëruesit e vërtetë të pasurisë. Puna e tyre është përshkruar nga disa përfaqësues të shquar të sektorit si një mbrojtje ndaj plaçkitjeve të “shteteve konfiskuese”. Pjesa më e madhe e aktivitetit të përditshëm të këtyre profesionistëve zhvillohet në një zonë etike të hirtë, e përbërë nga aktivitete formalisht të ligjshme, por socialisht të paligjshme. Përdoren fonde fiduçare, shoqëri offshore dhe instrumente të ngjashëm për të ndihmuar klientët që të mos paguajnë taksat, borxhet dhe mbajtjen e ish-bashkëshortit. Pas krizës financiare dhe skandalit Panama Papers, këto strategji – shpesh të përdorura edhe nga kompanitë për t’ju shmangur fiskut – po tërheqin vëmendjen e opinionit publik. Operatorët e sektorit, që përfaqësohen nga Society for Trust and Estate Practitioners (STEP) e Londrës, janë vënë në shënjestër nga agjencitë qeveritare të shteteve të ndryshme që merren me evazionin fiskal, riciklimin dhe pabarazinë ekonomike. Në deklaratën e Seulit të 2006, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OCSE) i është referuar rolit të “studiove ligjore e tregtare, konsulentë fiskalë dhe institucione financiare të tjera” që ndihmojnë kompanitë dhe privatët për të shmangur normativat ndërkombëtare. Më 2003 senatori demokrat amerikan Carl Levin denoncoi përpara një nënkomisioni të Senatit strukturat e krijuara nga konsulentë për të fshehur pasuritë e klientëve: “Shumë janë aq komplekse sa të bëjnë me dhembje koke. Kush i koncepton synon në kompleksitetin e tyre për t’u shpëtuar kontrolleve”.
Gjatë viteve të fundit pasuria botërore është rritur në nivele rekord (vlerësohet në 241 mijë miliardë dollarë), por është rritur edhe pabarazia, me 41 për qind të resurseve në dorën e 0.7 për qind të popullsisë. Llogaritet se menaxhuesit e pasurive administrojnë çdo vit një luks prej 21 mijë miliardë dollarë pasuri, për një total prej rreth 200 miliardë dollarë taksa të mospaguara në nivel botëror. Këta profesionistë u marrin resurse shteteve, duke krijuar një formë kapitali transkombëtar dhe të lëvizshëm, si pronarët e tij. Gjithçka bazohet jo vetëm mbi krijimin e strukturave pasurore opake dhe mbi instrumentet e shmangies fiskale, por mbi një grup institucionesh transkombëtare që po zhvillohen jashtë sistemit demokratik. Rritja e miliarderëve dhe e menaxhuesve pasurorë po krijon një elitë gjithnjë e më të pavarur e më të paqeverisshme. Studimi i të pasurve dhe i të fuqishmëve është patjetër e vështirë. Të kuptosh sesi funksionon wealth management paraqet vështirësi të veçanta, pasi është një aktivitet që bazohet mbi fshehtësinë dhe qeveriset nga një kod sjelljeje që imponon fshehtësinë maksimale. Si sociologe e interesuar për ta kuptuar këtë sektor, kam nisur investigimin tim duke u kthyer në shkollë. Në nëntor të 2007 jam regjistruar në një program formimi 2-vjeçar lidhur me menaxhimin e pasurive të mëdha. Qëllimi im ishte që të siguroja çertifikatën Trust and Estate Planning (TEP), standardin e njohur në nivel ndërkombëtar për të gjitha praktikuesit. Për të marrë këtë çertifikatë, duhen kaluar 5 provime në lëndë shumë specifike: fondi fiduçar, e drejtë biznesi, investime, financë dhe kontabilitet. Midis 2008 e 2015 kam intervistuar 65 menaxhues pasurish në 18 vende, midis të cilëve Zvicra, Hong Kongu, Singapori, Mauricius dhe varësi të ndryshme të Kurorës Britanike e territore të përtej detit, si Guernsey e Jersey, në Ishujt e Kanalit, Ishujt e Virgjër britanikë dhe Ishujt Kajman. Kam bërë intervista edhe në qendrat e reja financiare, sidomos në ato të tregjeve emergjente aziatike, si Ishujt Sejshelle. Vetëm pas botimit të studimeve të mia, në rreth 6 vite nga fillimi i projektit, dikush ka nisur të më trajtojë me armiqësi të hapur.
Në gusht të 2013 kam shkuar në Ishujt e Virgjër britanikë për të intervistuar një bankier, një zotëri britanik të bardhë mbi 60 vjeç. Më ka përshëndetur duke më thënë se i kishte lexuar 2 artikujt e mi dhe se e gjente punën time “djallëzore” dhe “kritike ndaj punës së sektorit dhe të personave të pasur”. Më pas ka shtuar se i gjithë komuniteti lokal i menaxhuesve pasurorë po pyeste se çfarë kërkoja aty. I është përgjigjur sjellshëm pyetjeve të mia, por vazhdonte të më pyeste se çfarë doja aty. Në fund ka ngritur supet, është shtriqur në kolltuk dhe më është ankuar se pse kisha “shpifur” për menaxhuesit pasurorë dhe klientët e tyre, duke i akuzuar për imoralitet “pse nuk paguanin të gjitha taksat që sipas dikujt duhej të paguanin”. Një konsulent lokal i kishte sugjeruar që të më “përzinte nga ishulli”. Shprehja më ka kapur aq në befasi saqë e kam falënderuar për disponueshmërinë, i kam dhënë dorën dhe jam kthyer në barin e hotelit tim për të pirë një gotë. Në atë kohë nuk isha në dijeni të një precedenti që 2 vjet më parë, në parajsën fiskale të Jersey, ishte arrestuar dhe përzënë përjetë një gazetar i “Newsweek” që hetonte mbi disa aktivitete të paligjshme. Edhe pse hetimi nuk kishte të bënte me shërbimet financiare, ekzistonte frika se mos i bënte publicitet negativ ishullit, duke i vënë në rrezik reputacionin si vend i qetë dhe diskret ku elitat mund të shkonin të parkonin paratë e tyre. Autoritetet financiare lokale qenë kaq influentë, saqë kanë arritur ta pengojnë gazetarin jo vetëm për t’u kthyer në Jersey, por edhe për të shkelur në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Kur e kam pësuar këtë histori, kam filluar ta shikoj nën një prizëm tjetër bisedën me bankierin e Ishujve të Virgjër britanikë. Jo vetëm demonstronte se komuniteti i menaxhuesve pasurorë ishte në gjendje të influenconte autoritetet, por konfirmonte edhe rëndësinë e bërjes së kërkimeve duke u futur në atë botë: nëse do të kisha provuar t’u afrohesha menaxhuesve pasurorë si një e huaj – siç kishte bërë gazetari i “Newsweek” – ka mundësi që kërkimi im nuk do të kishte ecur përpara. Midis konsulentëve dhe klientëve të tyre krijohen lidhje anormale. Mbi të gjitha zgjasin shumë vite. Juristi John Langbein e ka përshkruar një herë menaxhimin pasuror si një seri “marrëdhëniesh me jetëgjatësi dhe të paqartë, që zakonisht maten me jetë”. Si një mjek familjeje apo një avokat, konsulenti ka informacione shumë delikate. Por në ndryshim nga profesione të tjera, këto hollësi intime nuk kufizohen në një aspekt të jetës së klientit. James, që punon në Londër, shpjegon se klientët “duhet të zgjedhin një njeri, të cilit duhet t’i bëjnë të ditur gjithçka për veten e tyre: nga marrëdhëniet homoseksuale të nënës tek toksikodipendenca e vëllait, deri tek dashnoret e refuzuara që papritmas paraqiten në shtëpi”.
Puna e menaxhuesit pasuror është të ruajë paratë e klientëve të pasur nga rreziqe që kanë të bëjnë jo vetëm me investimet e këqija, por edhe me mundësinë që trashëgimtarë shpërdorues ta bëjnë rrush e kumbulla pasurinë e familjes ose të afërm me sekrete të hidhura që u bëjnë shantazh. “Është si të jesh një njeri që shikon nga vrima e çelësit, klienti duhet të zhvishet lakuriq përpara teje”, thotë Eleanor, një amerikane që punon në Zvicër. “Këta klientë rrëfejnë një thes me gjëra, gjëra që nuk do t’ia thoshin kurrë një bankieri”, thotë Elaine, një wealth manager britanike që punon në Dubai. “Je konfidenti i tyre. Të besojnë aq shumë sa duhet të jesh shumë e rezervuar. Për shembull, ka klientë që më thonë: ‘Dua t’i lë para dashnores, por nuk dua që të ma marrë vesh gruaja’”. Miliarderët janë shumë dyshues ndaj njerëzve që i rrethojnë. “Njerëzit që kanë një mal me para shpesh janë dyshues dhe izolohen”, më shpjegon Robert, i cili punon në Guernsey. “I mbushin mendjen vetes se të gjithë ata që takojnë duan të përfitojnë prej tyre”. Në të shumtën e rasteve këto dyshime janë të justifikuara. Shumë profesionistë më kanë konfirmuar se njerëzit me pasuri të madhe bëhen shpesh shënjestër individësh të paskrupullt. Siç thotë Mark, një menaxhues pasuror britanik që punon në Dubai, “njerëzit duan t’i mashtrojnë, t’i xhirojnë, t’i rrëmbejnë, t’i grabisin”. Dhe këto kërcënime nganjëherë vijnë jo vetëm nga njerëz të huaj, por edhe nga shtete dhe deri nga familjarë. James është i specializuar në ruajtjen e klientëve të moshuar nga manovrat e të afërmve. “Shpesh kam të bëj me familje të pabesa. Puna jonë konsiston në vënien në dispozicion të klientit dhe bërjen me dije se mund të mbështetet më shumë se ne, shpesh shumë më tepër nga sa mund të mbështetet tek gjaku i gjakut të tij, pasi ne nuk shpresojmë që të bëhemi trashëgimtarët e tij”. Ndjesia e paranojës që pasuria mund të insinuojë në brendësi të dinamikave familjare nuk është risi. Sipas historianit Scott L. Waugh, disa dokumente të Anglisë së viteve dyqind përshkruanin grindje midis të afërmve të shënuara nga “një mosbesim i përhapur ndaj ujqërve të familjes të uritur për trashëgimi”. Disa konsulentë e krahasojnë rolin e tyre me atë të priftit apo të konfidentit. Sherman, që punon në Ishujt e Virgjër britanikë, thotë: “Jemi një çikë si këshilltari tek ‘Kumbari’”. Për klientët, që shpesh janë të rrethuar nga trashëgimtarë të padurueshëm dhe bythëlëpirës, mundësia e të folurit për problemet e tyre me një njeri diskret dhe të ndershëm është në vetvete një gjë e çmuar. Nganjëherë, pas vdekjes së një klienti, një menaxhues pasuror duhet të informojë trashëgimtarët potencialë për vullnetin e të ndjerit dhe të zbusë konfliktet familjare që lindin. Në raste të tjera i takon roli i hetuesit, atij që kërkon të bëjë bashkë indiciet mbi disa manovra pasurore që klienti u ka mbajtur të fshehta të gjithëve. Alistair, që punon në Ishujt Kajman, tregon se ka asistuar “një familje të pasur në Xhamajkë” në të cilën “babai kishte vdekur pa i zbuluar trafiqet financiare të tij. Askush nuk dinte sesa para kishte dhe ku i mbante. U kishte thënë diçka familjarëve dhe pak miqve të besuar, por nuk i kishte treguar askujt një kuadër të plotë. Sot, 3 vjet pas vdekjes, po kërkojmë akoma pasurinë e tij”.
Të kuptosh nëse një wealth manager është i denjë për besim është thelbësore për klientët. Shumë operatorë të sektorit më kanë rrëfyer se kanë marrë kërkesa për paraqitje të jashtëzakonshme nga klientët, që donin të verifikonin nëse ishin në lartësinë e detyrës. Eleanor i ka telefonuar një klient, që i ka thënë: “Jam përpara një restoranti në Londër dhe më ka humbur byzylyku, duhet të ma gjesh”. Me fjalë të tjera, i kërkonte që t’i gjente një nga xhevahiret e humbur përpara një ndërtese të papërcaktuar në një vend të huaj. Në njëfarë mënyre, Eleanor ia ka dalë ta gjejë, i ka paraqitur faturën dhe ka fituar një klient besnik. “Njerëzit shumë të pasur janë të gatshëm të paguajnë për këto shërbime ekstra të bëra me masë, pikërisht si për veshjet”, thotë Mark, i cili punon në Dubai. David, një menaxhues pasuror që punon prej 40 vjetësh në Hong Kong, më ka treguar një histori të lezetshme. “Një herë më ka telefonuar nga Osaka një klient dhe më ka thënë: ‘Ndodhem përpara Owangi-san, që nuk flet anglisht, por po i përkulemi pareshtur njëri-tjetrit. Sapo më ka thënë me anë të një përkthyesi se i duan 1000 feta salmoni të tymosur brenda të martës. Po ta them ty që t’ia gjesh’. I jam përgjigjur: ‘Jam wealth manager yt, jo shitësi yt i peshkut’. Dhe ai: ‘Sot je tamam shitës peshku’. Në fund më është dashur t’i telefonoj një miku që njihte drejtorin e stabilimentit të salmonit të tymosur të Unilever në Skoci dhe ai ma ka gjetur peshkun”. Nganjëherë menaxhuesit pasurorë duhet t’u thonë “jo” klientëve për motive ligjore. Bruce, që punon në Gjenevë, tregon një prej këtyre rasteve: “Një herë një klient arab më ka kërkuar që t’i jepja 100 mijë dollarë nga fondet e kompanisë, pasi donte të blinte një ‘Ferrari’. Më është dashur t’i përgjigjem ‘jo’ dhe ai ma ka kthyer: ‘Çfarë do të thotë jo?’. Atëherë i kam thënë: ‘Kjo është një kompani dhe ju jeni aksioner i saj, kështu që po më kërkoni një shpërndarje të fitimeve?’. Domethënë, më është dashur të mësoj fjalët e duhura për t’i përdorur. Në fund e kam pyetur: Të lutem, a mund t’i fshish ato e-mail-e në të cilat më kërkon para kesh për ‘Ferrarin’?”.
Mijëra të privilegjuar
Një shekull më parë klientët e menaxhuesve pasurorë qenë të njohur si “klasë e kamur”. Ka mundësi që përbëhej nga disa dhjetëra mijëra të privilegjuar të përhapur në Amerikën Veriore dhe në Europë. Sot janë të përhapur në të gjithë botën. Baza aktuale e klientëve përfshin 167669 “individë me pasuri shumë të mëdha” të planetit, njerëz që sipas World Wealth Report 2014 të Cap Gemini, kanë një pasuri për t’u investuar prej të paktën 30 milionë dollarësh. Puna e përditshme e një menaxhuesi pasuror është e ngjashme me atë të një arkitekti, në kuptimin që të dy projektojnë struktura komplekse dhe multifunksionale. Arkitektura financiare e krijuar nga menaxhuesit pasurorë përbëhet nga pasuri më shumë sesa nga njerëz dhe strukturat janë të përbëra nga entitete të lidhur midis tyre, si shoqëri me aksione dhe fondacione. Shpesh këto struktura shërbejnë për të paguar më pak taksa, të shmangin normativat dhe të menaxhojnë suksesionet trashëgimore. Por, në ndryshim nga arkitektët, menaxhuesit pasurorë duhet të preokupohen edhe që të mbajnë në këmbë strukturat që projektojnë. Strategjitë ndryshojnë me ndryshimin e kushteve financiare dhe të klimës politike. Të qëndruarit prapa këtyre gjërave nuk është një ndërmarrje e lehtë dhe është pikërisht këto që wealth manager japin më të mirën e vetes. Një manual i botuar nga STEP-i shpjegon se duhet të jenë “pjesërisht avokatë, pjesërisht fiskalistë, pjesërisht komercialistë dhe pjesërisht financiarë, gjithë së bashku dhe në të njëjtin moment”. Veç kësaj, për të menaxhuar transaksionet ndërkombëtare, duhet të bëjnë bashkë dhe të koordinojnë një skuadër konsulentësh të jashtëm. Nga ky këndvështrim janë si fituesit e parë të tenderave: janë përgjegjës të ekzekutimit të planit strategjik të klientit, por u besojnë nënkontraktuesve për aspektet më të specializuara të punës.
Edhe pse detajet e këtyre strukturave komplekse rrallë janë bërë publikë, mund të krijojmë një ide duke lexuar botimet që u drejtohen profesionistëve. Ajo që pason është skenari tipik i nxjerrë nga një prej manualëve didaktikë të STEP-it: “Klienti i propozuar është me shtetësi braziliane, por prej 15 vitesh jeton në Kanada, ku mendon të vendoset në rrugë definitive. Fiduçarët duhet të jenë një fond me seli në Ishujt Kajman dhe një administrator kompanie në Bahamas. Nënkuptohet se pasuria e fondit do të përbëhet nga kuotat e dy kompanive: holdingu i perandorisë ekonomike së klientit në Amerikën Latine, i regjistruar si një kompani në Bermuda dhe më pas një kompani tregtare ndërkombëtare në Ishujt e Virgjëra britanike, që mban tituj dhe aksione. Beneficarët përfshijnë një grup personazh që banojnë në pjesë të ndryshme të Europës dhe të Amerikës së Jugut”. Ja vlen barra qiranë të ndalesh në tri aspekte të kësaj hipoteze, pasi japin një ide për kompleksitetin e jashtëzakonshëm të menaxhimit të pasurive të mëdha. I pari është përmasa ndërkombëtare: në strukturën pasurore përfshihen 6 vende dhe ligjet përkatëse, pa llogaritur shtetet e ndryshme të Europës dhe të Amerikës së Jugut ku banojnë personat që gëzojnë benefitet financiare. Menaxhuesi pasuror duhet të koordinohet me ekspertë të secilit prej këtyre juridiksioneve për të qenë të azhurnuar mbi ndryshimet e legjislacionit fiskal dhe të normativave të tjera. I dyti është numri i personazheve të përfshirë: jo vetëm profesionistët, si fiduçarët e Ishujve Kajman dhe administratorët e kompanisë tregtare në Bermuda, por edhe klienti dhe beneficarët. I treti është kombinimi i strukturave të ndryshme, me një fond që mban kuotat e një serie kompanish nën të. Kjo ndërthurjeve midis fondeve dhe kompanive me aksione mundësoi që të spostohen pasuri nga njëra anë në tjetrën, në atë që “Forbes” e ka përshkruar si një “lojë të mrekullueshme me 3 letra”. Menaxhuesit pasurorë më të aftë përdorin instrumente si fonde fiduçare, fondacionet dhe shoqëritë me aksione për të neutralizuar në pafundësi përpjekjet e shtetit dhe pa shkelur ligjet.
Për shumë ky është sharmi kryesor i profesionit. Bruce, një amerikan që punon në Gjenevë, thotë se burimi kryesor i kënaqësisë në punën e tij është “sfida intelektuale e të luajturit si macja me miun me autoritetet fiskale e të gjithë botës”. Por motivi më i zakonshëm i kënaqësisë është se puna është jo vetëm stimuluese nga pikëpamja intelektuale, por edhe emotivisht shpërblyese. Siç thotë Sebastian, një amerikan që punon në Hong Kong, “nuk është si të punosh në një bankë biznesore, ku nuk bën gjë tjetër veçse të mbushësh formularë për një kompani për të cilën nuk i intereson asgjë. Edhe nëse klientët janë djem të përkëdhelur dhe nganjëherë janë edhe vërtet, puna jote i ndihmon familjet të qëndrojnë të bashkuara”. Është një temë e përsëritur: pothuajse të gjithë ata që kanë marrë pjesë në studimin tim kanë thënë se, “ndihmojnë familjet” është një prej motiveve kryesore të kënaqësisë. Shumë klientë i ftojnë klientët e tyre në martesat e familjes, të kalojnë pushimet me ta dhe deri t’i asistojnë në pikën e vdekjes. Konsulentë të ndryshëm kanë qarë në tryezën e tyre të punës pasi kanë mësuar se klienti i tyre kishte ndërruar jetë. Siç më ka shpjeguar Sherman, njeriu që kam intervistuar në Ishujt e Virgjër britanikë, ky intimitet me klientët i jep profesionit një kthesë emotive që nuk ekziston në sektorë të tjerë të aktivitetit bankar: “Është një raport shumë i thellë, shumë autentik”. Por ky rol pothuajse familjar ka të këqijat e veta. Raporti i besimit dhe i intimitetit shpesh i detyron menaxhuesit pasurorë që t’i asistojnë klientët në momentet më të këqija. Shumë tregojnë fatkeqësinë e tyre që u është dashur të ndihmojnë klientët për të hequr nga trashëgimia fëmijë dhe bashkëshortë. Në disa raste fati që mban të bashkuar një familje mund edhe ta shkatërrojë.
Një artikull i 2009 i “STEP Journal” shpjegon se përtej kërcënimeve të kreditorëve dhe të autoriteteve fiskale, duhen mbajtur nën survejim edhe “gjarpërinjtë në gji. Me fjalë të thjeshta: si i bëhet që të pengohet familja nga shtypja e butonit të vetëshkatërrimit?”. Nadia, që punon në Panama, tregon me lotë në sy se në 30 vitet e fundit e karrierës së tij ka parë “familje të copëtuara prej parave”. Shumë flasin për shqetësimin që provohet duke qenë bashkëpunëtor i mashtrimeve dhe i tradhtimeve ndaj familjarëve të klientëve. Alistair, në Ishujt Kajman, thotë: “Ndoshta ka një klient me një dashnore dhe me fëmijë për t’u mbajtur, kështu që gjithçka i duhet mbajtur e fshehur gruas. Nuk mund të bëjmë gjë tjetër veç sesa ta kapërdijmë dhe ta mbajmë gojën e mbyllur”. Kur bëhet fjalë për familjen, përgjegjësitë e menaxhuesve pasurorë ndryshojnë nga rajoni në rajon. Në Gadishullin Arabik shpesh janë të ngarkuar që t’i xhirojnë kufizimet e vendosura nga ligji islamik të drejtave trashëgimore të fëmijëve femra. Pas sheriati e kufizon rreptësisht edhe lirinë testamentare, kush do që një vajzë të ketë të njëjtën pjesë të pasurisë së familjes duhet të gjejë alternativa offshore. Elaine, që punon në Dubai, shpjegon se klientët i drejtohen gjithnjë e më shumë asaj për këtë “rrugë”: “Arabët i çojnë vajzat të studiojnë dhe kërkojnë që t’i ruajnë, pasi një ditë do të drejtojnë kompaninë e familjes ose do të hyjnë në këshillat administrues. Në Kuvajt gratë ulen në Parlament. Sot sheikët nuk ecin më prapa bashkëshortëve të tyre, por bashkë me ta, dorë për dorë. Kështu edhe baballarët fillojnë ta ndryshojnë menaxhimin e pasurisë së tyre: krijojnë fonde fiduçare apo bëjnë një sigurim jete, që në botën islamike është një lloj harami (ndalimi), por e bëjnë sepse për sheriatin janë fëmijët meshkuj ata që trashëgojnë kompaninë e familjes dhe ata duan që vajzat të kenë të njëjtat të drejta”.
Në botën e wealth management, detyrimi për të paguar borxhet, për të kontribuar në financimin e shtetit dhe në përgjithësi për t’ju nënshtruar ligjeve të vendit konsiderohet një atentat ndaj drejtësisë. Një tekst didaktik i përshkruan të drejtat e kreditorëve si “rreziqe”, jo si detyrime që debitorët marrin mbi vete vullnetarisht. Midis “rreziqeve” të tjera janë rendi juridik dhe fisku. Vullneti për t’u shpëtuar këtyre detyrimeve shpjegon popullaritetin e mekanizmave financiare offshore. Tek “Treasure Islands”, një libër mbi qendrat financiare offshore, Nicholas Shaxon përshkruan një botë të përbërë nga “eksponentë të aristokracive të lashta të Europës kontinentale, fanatikë të shkrimtares libertare amerikane Ayn Rand, agjentë të shërbimeve sekrete nga e gjithë bota, kriminelë ndërkombëtarë, lordë britanikë dhe një masë bankierësh. Frikësuesit e tyre janë shteti, ligji dhe taksat. Slogani i tyre është: liria”.
Vjedhje e pastër dhe e thjeshtë
Ekonomisti Gabriel Zucman ka shkruar se sistemi financiar offshore është rritur deri në atë pikë sa të vejë në diskutim të ardhmen e sovranitetit kombëtar. Teza e tij bazohet kryesisht mbi shmangien fiskale, që e quan “vjedhje të pastër e të thjeshtë”. T’u mundësosh kontribuesve t’u vjedhin qeverive 200 miliardë dollarë në të ardhura fiskale të munguara, thekson Zucman, do të thotë të dobësosh pushtetin e shtetit. Luksemburgu, ku gjysma e PBB-së shkon në benefit të privatëve dhe të kompanive të huaja, është më shumë një zonë e shkëmbimit të lirë sesa një shtet. Dikush ka thënë të njëjtën gjë për Jersey: në çfarëdo përkufizimi të zakonshëm të termit, ka shkruar gazetari Oliver Bullough, “nuk është një shtet”, por “115 kilometra katrore ambiguitet në pushtet”. Falë sistemit offshore, të pasurit dhe elita e profesionistëve që punojnë për ta kanë krijuar një lloj bote paralele paligjshmërie selektive: të pasurit mund të vazhdojnë të vlerësojnë ligjet që u përgjigjen interesave të tyre dhe të injorojnë ato që nuk u vijnë për shtat. Kjo botë paralele vepron pothuajse gjithmonë pa u vënë re, përjashto kur kontribuon për të futur në kaos pjesën tjetër të vdekatarëve të thjeshtë, siç ka ndodhur me krizën e 2008. Dikush do të thoshte se ka qenë gjithmonë kështu. Ama fenomeni ka arritur përmasa dikur të paimagjinueshme. Lëvizshmëria e pasurisë dhe e pronarëve të saj, bashkuar me kapacitetet ligjore e financiare të wealth manager, e bën tejet të lehtë të shkelet fryma e ligjeve duke e respektuar pikë për pikë. Në këtë pikë është e qartë se tentativat për të kufizuar privilegjet e miliarderëve janë demonstruar joefikase. Nëse liderët politikë duan që elitat t’i paguajnë taksat e tyre dhe të respektojnë ligjet, ndoshta duhet ta spostojnë vëmendjen nga kush posedon pasuri të mëdha tek ata që punojnë për ta.
(Brooke Harrington është një sociologe që jep mësim në Copenhagen Business School. Ky artikull është nxjerrë nga libri i saj “Capital Without Borders: Wealth Managers and the One Percent”, shtëpia botuese Harvard University Press 2016).
Përgatiti:
ARMIN TIRANA