Gardisti i vë armën në kokë një personi, tmerron qytetarët

Një gardist ka terrorizuar qytetarët ditën e djeshme, pasi ka kanosur me armë një punonjës karburanti në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30 të ditës së djeshme. Rreshteri Kristal Necaj, sipas kallëzimit, ka kanosur me armën e shërbimit një person pranë një lavazhi makinash.
Policia ka bërë shoqërimin e punonjësit të Gardës, duke kryer të gjithë veprimet procedurale për të tilla raste. Punonjësi i Gardës është pezulluar nga detyra në bazë të rregullores deri në përfundim të hetimit penal.
Ka qenë qytetari që ka kallëzuar gardistin në polici dhe më pas forcat e policisë kanë bërë shoqërimin e tij dhe kanë nisur procedurat e hetimit. Bëhet e ditur se, gardisti Kristal Necaj ishte zënë me fjalë me punonjësin e karburantit, të cilin e kishte hasur rastësisht në rrugë pasditen e djeshme pranë një lavazhi. “Pse më hodhe naftë të keqe”, mësohet të ketë thënë Necaj, rreshter në Gardën e Republikës, duke i treguar pistoletën në brez.
Kjo gjë ka trembur për vdekje punonjësin e karburantit, i cili ka marrë menjëherë në telefon policinë dhe ka bërë denoncim në Komisariatin Nr.3. Megjithatë, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme po heton për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe Garda ka dhënë për momentin masën e pezullimit ndaj gardistit.

Exit mobile version