Gashi fiton derbin ndaj Hykës

Shkëlzen Gashi fiton derbin shqiptar me Jahmir Hykën në “Tokën e Mundësive”, duke i dhuruar Colorado Rapids fitoren ndaj San Jose Earthquakes në MLS. Në “Dick’s Sporting Goods Park”, ku si Hyka dhe Gashi ishin titullarë që nga minuta e parë, Gashi i cili rikthehej pas një dëmtimi zhbllokoi rezultatin në të 29 duke shënuar një gol të lehtë pas një asisti nga krahu i majtë për t’i dhënë Colorados, që nuk fitonte prej 7 ndeshjesh, kryesimin.
Ishte një gol i rëndësishëm që shërbeu për t’iu dhënë besim Rapids që 6 minuta më vonë dyfishuan me Dominik Badji, që përfitoi në një kundërsulm të Colorados dhe pasi avancoi gjeti rrjetën me një goditje para zonës.
Rezultati 3-0 u vulos nga Gashi që kompletoi dygolëshin e tij të parë këtë sezon në minutën e 63 kur i gjendur i vetëm para portierit çoi topin në trekëndësh duke ndëshkuar përfundimisht ekipin e San Jose. Kjo ishte një fitore me peshë për Coloradon që shpreson të ketë gjetur më në fund kthesën e duhur, ndërsa luan me Chicagon në transfertë të mërkurën e ardhshme, ditë kur ekipi i Hykës kthehet në shtëpi për t’u përballuar me Orlando City.

Artikulli paraprakDështon koncesioni i check up-it, qeveria ndërhyn për të shpëtuar paratë e Vilmës
Artikulli tjetërManjani: Mesazhi i protestës ishte i qartë, s’ka zgjedhje pa opozitë