Shkëlzen Gashi gjen golin e tij të parë në tokën e mundësive. Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare i dha fitoren skuadrës së tij, Colorado Rapids duke shënuar golin vendimtar në suksesin 1-2 në transfertën me Sporting Kansas City. Në minutën e 82-të, Dillon Serna goditi nga larg me topin që u përplas në traversë dhe sulmuesi shqiptar u tregua i zoti për ta dërguar në kthim në rrjetë me një gjuajtje të fuqishme me të majtën e tij.
Ishte ky goli i parë i Shkëlzen Gashit në Major League Soccer, ku është transferuar gjatë dimrit të kaluar, dhe padyshim një sinjal domethënës për De Biasin, kur duhen dhe rreth dy muaj që të startojë Europiani Francë 2016.
Sulmuesi shqiptar që e nisi si titullar në formacionin 4-2-3-1 të Colorados, duke regjistruar paraqitjen e tij të pestë me skuadrën e tij të re bëri një paraqitje të shkëlqyer, madje në minutën e 67, kur rezultati ishte 1-0 për Coloradon shpëtoi portën nga një gol i sigurt, duke larguar topin mbi vijën fatale, episod ky i barazvlefshëm me një gol të shënuar për Gashin që më pas në minutën e 82, kur Sportingu kishte shënuar golin e barazimit i dha goditjen e knock outit kundërshtarëve, duke realizuar dhe golin që vulosi rezultatin 1-2 për t’u kthyer në njeriun e ndeshjes.