Gashi idhulli i tifozëve të Colorados

Më pak se dy muaj i mjaftuan Shkëlzen Gashit që të shndërrohet në idhullin e tifozëve të Colorado Rapids. Loja, kualiteti dhe rrezikshmëria që ofron në manovrat ofensive të ekipit, e kanë kthyer sulmuesin e Kombëtares shqiptare në një element mjaft të rëndësishëm për skuadrën e trajnerit Mastroeni.
Në gjashtë ndeshje ku është aktivizuar në Major League Soccer, Gashi ka realizuar një gol, atë në fitoren 2-1 në transfertë me Sporting Kansas City, në mesin e muajit prill. Ndaj pyetjes në faqen zyrtare të klubit në Facebook nëse ndeshja e radhës në “Dick’s Sporting Goods Park” është momenti ideal që 27-vjeçari të shënojë golin e parë në shtëpi, tifozët e Colorados i janë përgjigjur me entuziazëm.
Sipas njërit prej tifozëve të Rapids, “Gashi po paraqitet më mirë se shumë prej të ashtuquajturve yje europianë që luajnë në Amerikë, duke rritur nivelin e kampionatit dhe do të realizojë shumë gola”.
Në komentet e tjera nuk kanë munguar vlerësimet për kualitetin e kuqeziut, që pavarësisht se i nevojitet ende pak kohë të përshtatet me ligën e re do të dijë të shfaqë të gjithë potencialin e tij.
Të tjerë tifozë besojnë se, ndeshja e radhës ndaj Seattle është momenti i mirë që Gashi të shënojë rrjetën e parë përballë mbështetësve të Colorados, e pse jo ndoshta të realizojë tre gola.

Exit mobile version