Gashi lihet jashtë!

Gianni de Biasi shpall listën e futbollistëve për dy impenjimet e radhës së kombëtares, kundër Lihtenshtejnit dhe Spanjës më 6 dhe 9 tetor. Ashtu siç edhe pritej trajneri ka ftuar për herë të parë me kuqezinjtë dy lojtarë që konsiderohen interesantë për projektin e së ardhmes, Eros Grezdën. 21-vjeçari fiton në këtë mënyrë ftesën për në kombëtare pas paraqitjeve të shkëlqyera në Kroaci me Lokomotivën e Zagrebit, klub që dhe konfirmoi thirrjen e tij një ditë më parë. Ka një herë të parë edhe për Liridon Latifin, mesfushori i talentuar i Skënderbeut arrin në kombëtaren e parë si një talent i konfirmuar me perspektivë për të ardhmen, ndërsa verën e kaluar ishte shumë pranë një transferimi të bujshëm në Rusi. Rikthehet ndërkohë në kombëtare sulmuesi Asdren Llullaku, i cili luan me Gaz Metan në Rumani.
Për sa i përket mungesave, padyshim që bie në sy ajo e Shkëlzen Gashit, me sulmuesin e Colorado Rapids që nuk do të jetë për dy ndeshjet e radhës. “Kam folur këto ditë me Gashin, ishte i gatshëm të vinte për këto ndeshje, por bëra zgjedhje të tjera. Kam afruar të rinj si Manaj, Grezda e Latifi, të rinj për të ardhmen. Unë zgjedh lojtarë të përshtatshëm për projektin”, u shpreh De Biasi.
Ndërkohë që nuk do të jetë as Thomas Strakosha, i cili u grumbullua me kombëtaren A për takimet me Marokun e Maqedoninë në fillim të shtatorit, ndërsa këtë herë është menduar që të jetë sërish me ekipin e 21-vjeçarëve që ka impenjime mjaft të rëndësishme gjatë kësaj periudhe. Konfirmim ndërkohë për Rey Manajn, me sulmuesin që falë performancave të tij po fiton vendin e titullarit te Atalanta ku do ta nisë nga minuta e parë ndeshjen e kësaj të diele me Napolin, ashtu si dhe për Jahmir Hykën. Kombëtarja do të nisë grumbullimin për ndeshjen e parë me Lihtenshtejnin këtë të hënë në kryeqytetin e principatës, Vaduz, në mënyrë që përgatitjet e kuqezinjve të zhvillohen në kushte optimale.
“Ndeshjet e rëndësishme për ne janë ato me Lihtenshtejnin, Maqedoninë e Izraelin, si fillim të përqendrohemi te këto, pasi ndeshjet e tjera kanë histori më vete. Siç e kam thënë shpesh, udhëtimi drejt Rusi 2018 është shumë i vështirë për ne, duhet ta bëjmë sa më pak të komplikuar të mundshëm. Gjërat më të rëndësishme i bëjmë kur jemi të përqendruar, për mua e rëndësishme është të bëjmë sa më mirë ndaj Lihtenshtejnit, pasi ne duhet të bëjmë pikë. Kur duam të bëjmë pikë nuk është e thjeshtë për ne. Ne mbajmë nën kontroll të gjithë lojtarët që janë dhe mundohemi të zgjedhim kush është më mirë dhe kush nuk është”, u shpreh De Biasi.
Portierë
Etrit Berisha
Alban Hoxha
Orges Shehi
Mbrojtës
Naser Aliji
Berat Gjimshiti
Mërgim Mavraj
Elseid Hysaj
Ansi Agolli
Frederik Veseli
Mesfushorë
Ledian Memushaj
Ergys Kaçe
Andi Lila
Liridon Latifi
Migjen Basha
Eros Grezda
Odise Roshi
Burim Kukeli
Ermir Lenjani
Jahmir Hyka
Taulant Xhaka
Amir Abrashi
Sulmues
Sokol Cikalleshi
Armando Sadiku
Azdren Lullaku
Rey Manaj

Artikulli paraprakTjetër skandal në futbollin anglez
Artikulli tjetërMoviola debuton në Serinë A