Gashi rrëfen Europianin unik të Shqipërisë

Në momentin kur Europa pret të mësojë kampionin e saj, lojtarët shqiptarë i janë rikthyer rutinës. Një prej tyre është edhe Shkëlzen Gashi, që pas eliminimit të Kombëtares nga Euro 2016, udhëtoi drejt Amerikës për të vijuar sezonin me Colorado Rapids. Në një intervistë për gazetën zvicerane “Blick”, sulmuesi kuqezi iu rikthye emocioneve të turneut në Francës, duke theksuar se “ruan kujtime të bukura nga Kampionati Europian, atmosfera e krijuar në stadiume, por edhe mbështetja unike nga tifozët kuqezi dhe entuziazmi në të gjitha trojet shqiptare”.
Sipas 27-vjeçarit, në Shqipëri do të flitet gjatë për pjesëmarrjen historike në një turne madhor. Gashi rikujtoi edhe momentet e ankthit, kur Shqipëria ndiqte ndeshjet e skuadrave të tjera pjesëmarrëse nëpërmjet televizorit dhe priste të mësonte nëse fitorja me Rumaninë do të ishte e mjaftueshme për t’u kualifikuar nga faza e grupeve. Një ëndërr që nuk u realizua, por që sipas sulmuesit të Kombëtares “këto janë rregullat dhe duhen pranuar”. Më tej, Shkëlzen Gashi u shpreh se, në sfidën ku Shqipëria debutoi në Euro 2016 përballë Zvicrës, të besuarit e Gianni De Biasit mund ta kishin merituar një pikë, por megjithë humbjen treguan se kuqezinjtë nuk dorëzohen për asnjë moment.
Sulmuesi e vlerësoi ndeshjen me Zvicrën e gjashtë shqiptarëve si një përballje tejet emocionuese, ndërsa tha se fati nuk ishte me të, në momentin e golit të shpërdoruar në fundin e sfidës. Shkëlzen Gashi shprehu besim se pas sigurimit të një vendi në Kampionatin Europian, Kombëtarja do të ketë të tjera mundësi për të marrë pjesë në një turne madhor, ndërsa i ngacmuar rreth së ardhmes dhe spekulimeve se për shërbimet e tij interesohet Pescara në Serinë A italiane, nënvijëzoi se është i përqendruar vetëm te Colorado, pasi dëshiron të fitojë titullin kampion në Shtetet e Bashkuara.

Exit mobile version