Gashi shpallet “Futbollisti i vitit” te Colorado Rapids

Shkëlzen Gashi fiton zemrat e tifozëve të Colorado Rapids. Falë 9 golave që ka realizuar deri tani me skuadrën nga Denveri, futbollisti i kombëtares shqiptare është vlerësuar nga fansat e ekipit të tij si lojtari i vitit te Colorado në sezonin e rregullt të Major League Soccer. Një çmim mëse i merituar ky për Shkëlzen Gashin që në vetëm pak kohë është shndërruar në lojtarin më të rëndësishëm të skuadrës së drejtuar nga trajneri Mastroeni. Tifozët e Colarados me votat e tyre kanë vlerësuar paraqitjet e Gashit në këtë sezon duke e përzgjedhur si lojtarin e vitit te skuadra e tyre.
Në profilin e tij në Facebook, Shkëlzen Gashi postoi një foto ku shfaqej shumë i lumtur, duke mbajtur në duar trofeun e lojtarit të vitit të Colorados. “Çfarë sezoni i pabesueshëm, ne si skuadër arritëm rekord pas rekordi dhe tani ky çmim special për mua nga ana e tifozëve. Falënderoj fansat për këtë nderim që më kanë bërë”, shkruan Gashi në Facebook. Falë 9 golave dhe 3 asisteve të 28-vjeçarit shqiptar, Colorado Rapids e mbylli sezonin e rregullt në vendin e 2-të të Konferencës së Perëndimit duke u kualifikuar në çerekfinalet e fazës play off.

Artikulli paraprak158 vjet futboll!
Artikulli tjetërIbra, një zhgënjim!