Gashi shpëton nderin e Colorados

Shkëlzen Gashi sërish vendimtar për skuadrën e tij, Colorado Rapids. Futbollisti shqiptar shënoi golin e barazimit në sfidën me Dynamo Houston, e cila në fakt vlente pak përsa i përket renditjes përfundimtare të sezonit të rregullt, pasi Rapids e kishin siguruar pjesëmarrjen në play off, madje në çerekfinale, pasi kishin krijuar një shkëputje të ndjeshme me Los Angeles Galaxy në Konferencën e Perëndimit.
Kjo përballje e zhvilluar në prani të thuajse 19 mijë spektatorëve duhej të shërbente për të fituar duartrokitjet e fansave të Colorados, që prisnin një fitore të thellë ndaj skuadrës që mban vendin e fundit. Në pjesën e parë Dynamo Houston befasoi vendasit me golin e Wenger, por për të shpëtuar nderin e Rapdis mendoi Gashi, i cili e dërgoi topin në rrjetë me një goditje të saktë brenda zonës në minutën e 67-të. Në fund të sfidës sulmuesi shqiptar u zgjodh njeriu i ndeshjes, me 61% të votave.
Për 28-vjeçarin ky ishte goli i nëntë me fanellën e Colorados, skuadër me të cilën është aktivizuar në total në 26 ndeshje. Në fazën play off të MLS, pikërisht në çerekfinale Colorado Rapids do të përballet me fituesin e çiftit Real Salt Lake-Los Angeles Galaxy.

Artikulli paraprakNuk do të ketë amnisti për bizneset, por mbledhje me forcë
Artikulli tjetërButka rrëfen masakrat e Mehmet Shehut dhe letrën e tij ku shkruante: “E tepruam”