Gashi supergol në SHBA, De Biasi nuk e merr në kombëtare

Shkëlzen Gashi është kthyer në një hero për tifozët e Kolorado Rapids në SHBA. Sulmuesi shqiptar realizoi një gol spektakolar në gjysmëfinalen e kthimit të Konferencës së Perëndimit në MLS, që i dha mundësi Rapids të kualifikoheshin me 11-metërsha në finale. Autor i 9 golave gjatë sezonit të rregullt 28-vjeçari dhuroi një perlë në minutë e 36-të nga një distancë e largët, me portierin Rowe që e pati të pamundur të kontrollonte trajektoren e topit. Finalizimi i Gashit vuri baraspeshën në përplasjen e dyfishtë mes dy skuadrave, pasi takimi i parë i luajtur në Kaliforni, ishte mbyllur 1-0 për Galaxy.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare qëndroi në fushë deri në fund të pjesës së parë, pasi e kishte të pamundur të vijonte lojën për shkak të një dëmtimi në kavilje. Kamerat e fokusuan Gashin duke ecur me paterica dhe këmbën e fashuar, çka tregonte se dëmtimi ishte mjaft serioz. Gjithsesi koha e rikuperimit do të përcaktohet pas ekzaminimeve të mëtejshme. Në pjesën e dytë rezultati mbeti i pandryshuar dhe për të përcaktuar skuadrën që do të kualifikohej në finalen e Konferencës së Perëndimit u gjuajtën 11-metërshat.
Nga lojtarët e Los Angeles Galaxy arriti të shënonte vetëm Steven Gerrard, me Dos Santos, Ashly Cole dhe  Larentowitz që gabuan njëri pas tjetrit. Rapids u treguan të gjithë të saktë, madje nuk qe nevoja që të ekzekutonin 2 penalltitë e fundit. Në finalen e Perëndimit Colorado Rapids do të përballet me Seatle Sounders.

Exit mobile version