Colorado Rapids, ku aktivizohet sulmuesi i kombëtares shqiptare Shkëlzen Gashi, humbi 0-1 në fushën e Los Angeles Galaxy në ndeshjen e parë gjysmëfinale në Konferencës së Perëndimit në MLS. 28-vjeçari, një nga elementët më të rëndësishëm të Rapids luajti titullar dhe qëndroi në fushë deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit, por pa mundur ta ndihmonte skuadrën e tij në këtë transfertë të vështirë. Pavarësisht organizimit të mirë në prapavijë dhe ndërhyrjeve vendimtare të portierit Tim Haward, Colorado u ndëshkua në minutën e 55-të nga ish-futbollisti i Barcelonës, Giovanni dos Santos, i ndihmuar edhe nga devijimi me kokë i Axel Sjoberg në tentativë për të larguar topin. Colorado reagoi me një goditje të Jermaine Johns katër minuta më pas, por fluturimi i Brian Rowe i mohoi golin.
Ndeshja e kthimit që do të përcaktojë skuadrën finaliste të Konferencës së Perëndimit do të zhvillohet të dielën e ardhshme. Një sfidë shumë e rëndësishme për Gashin, i cili është në garë për “Golin më të bukur të vitit”, si dhe është nominuar për çmimin “Debutuesi i vitit” me MLS. Së fundmi sulmuesi i kombëtares shqiptare ka fituar çmimin si “Lojtari i vitit” te Colorado, ku në dy raste është shpallur futbollisti i muajit te Rapids.